kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 13 Së Bashku (ALNT)

Thirrje për pendim

1. Në atë kohë erdhën disa njerëz te Jezui e i treguan për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve.

2. Jezui i pyeti:«A mendoni se galileasit që vuajtën këtë gjë ishin më mëkatarë se galileasit e tjerë?

3. Jo po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata.

4. Po për ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloamit e i vrau, a mendoni se ishin fajtorë më të mëdhenj se njerëzit e tjerë që banojnë në Jerusalem?

5. Jo po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata».

Shëmbëlltyra e fikut

6. Pastaj Jezui tregoi këtë shëmbëlltyrë:«Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij. Erdhi që të kërkonte ndonjë fryt në të, por nuk gjeti.

7. Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, erdha tre vjet me radhë që të kërkoja ndonjë fryt nga ky fik, por ende nuk kam gjetur asnjë. Preje! Pse ta zërë tokën kot?”.

8. Vreshtari iu përgjigj: “Zotëri, lëre edhe këtë vit, që ta prashis e ta plehëroj,

9. se mos jep fryt vitin e ardhshëm. Nëse jo, preje”».

Jezui shëron ditën e shtunë

10. Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë.

11. Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur për tetëmbëdhjetë vjet të kërrusur. Ajo nuk mund të rrinte drejt.

12. Jezui e pa, e thirri dhe i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote».

13. Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë.

14. Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t’u shëruar e jo ditën e shtunë».

15. Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun ose gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t’i dhënë ujë?

16. Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?».

17. Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai.

Shëmbëlltyra e farës së sinapit dhe e tharmit

18. Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj?

19. Ajo ngjan me farën e sinapit, që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj».

20. Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?

21. Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa mielli, derisa u mbrujt i gjithë brumi».

Dera e ngushtë

22. Rrugës për në Jerusalem, Jezui përshkonte qytete e fshatra duke mësuar njerëzit.

23. Dikush e pyeti: «Zot, a janë pak ata që shpëtohen?».Atëherë Jezui i tha:

24. «Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin.

25. Nëse i zoti i shtëpisë është ngritur dhe e ka mbyllur derën e ju filloni të rrini përjashta e të trokisni në derë duke thënë: “Zot, na e hap derën!”, ai do të përgjigjet: “Nuk e di nga vini.”

26. Atëherë do të filloni të thoni: “Ne kemi ngrënë e kemi pirë me ty dhe ti na ke mësuar nëpër sheshe.”

27. Por ai do të thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi.”

28. Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t’ju kenë hedhur përjashta.

29. Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë.

30. Dhe ja, të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit».

Vajtimi për Jerusalemin

31. Në atë çast disa farisenj erdhën e i thanë Jezuit: «Largohu që këtej se Herodi kërkon të të vrasë».

32. Dhe Jezui u tha:«Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, unë po dëboj djajtë e po shëroj sot e nesër. Ditën e tretë e mbaroj veprën time.

33. Megjithatë, sot, nesër e pasnesër unë do të eci udhës sime, sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit.”

34. Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët dhe që me gurë vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët.

35. Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni: Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!».