kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 7 Së Bashku (ALNT)

Besimi i centurionit

1. Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum.

2. Aty gjendej një centurion që kishte një shërbëtor të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur.

3. Kur dëgjoi për Jezuin, centurioni dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t’i luteshin të vinte për t’i shëruar shërbëtorin.

4. Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh,

5. sepse e do popullin tonë dhe na ka ndërtuar edhe sinagogën».

6. Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur centurioni dërgoi disa miq për t’i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë që të hysh nën çatinë time.

7. Prandaj nuk m’u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet.

8. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit: “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit: “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim: “bëje këtë”, ai e bën».

9. Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me centurionin. Atëherë u kthye dhe i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh».

10. Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e centurionit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.

Jezui ngjall djalin e një vejushe

11. Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij e nga një turmë e madhe.

12. Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte.

13. Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!».

14. Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!».

15. I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma.

16. Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet».

17. Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth.

Të dërguarit e Gjon Pagëzorit

18. Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre

19. e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?».

20. Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”».

21. Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve.

22. Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbërit po shohin përsëri dhe të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe të varfërve po u shpallet ungjilli.

23. Lum ai që nuk humbet besimin në mua».

24. Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t’u fliste turmave për Gjonin e tha:«Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era?

25. Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore.

26. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them madje më shumë se një profet.

27. Gjoni është ai për të cilin Shkrimi i shenjtë thotë: Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim përpara teje, që të përgatisë udhën tënde.

28. Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai.»

29. Të gjithë ata që e dëgjuan këtë gjë, përfshirë edhe tagrambledhësit, pranuan se Perëndia është i drejtë dhe u pagëzuan nga Gjoni.

30. Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit të Moisiut iu kundërvunë vullnetit të Perëndisë e nuk u pagëzuan nga Gjoni.

31. Pastaj Jezui tha:«Me kë mund t’i krahasoj njerëzit e kësaj breznie, me kë ngjajnë?

32. Ata u ngjajnë fëmijëve që ulen shesheve dhe i thërrasin njëri-tjetrit e i thonë:“I ramë fyellit për jue nuk kërcyet,vajtuame ju nuk qatë.”

33. Erdhi Gjon Pagëzori, që as ha bukë e as pi verë, e ju thoni: “Është i pushtuar nga djalli.”

34. Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi, e ju thoni: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve.”

35. Por urtia e Perëndisë dëftehet se është e drejtë nga të gjithë bijtë e saj».

Jezui fal një grua mëkatare

36. Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut e u ul në tryezë.

37. Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë.

38. Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t’ia lagte këmbët me lot e t’ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t’i puthte këmbët e t’ia lyente me mirrë.

39. Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare».

40. Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë».Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues».

41. «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë.

42. Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?».

43. Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh».E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt».

44. Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m’i lau me lotët e saj e m’i thau me flokët e saj.

45. Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia që kur hyra brenda.

46. Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m’i leu këmbët me mirrë.

47. Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri».

48. Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet».

49. Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që fal edhe mëkatet?».

50. Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».