kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 20 Së Bashku (ALNT)

Çështja e autoritetit të Jezuit

1. Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull dhe po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, skribët e pleqtë

2. dhe i thanë: «Na thuaj, me ç’autoritet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë autoritet?».

3. Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni,

4. pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?».

5. Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”.

6. Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet».

7. Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte».

8. Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç’autoritet i bëj këto gjëra».

Shëmbëlltyra e vreshtit dhe vreshtarëve

9. Jezui filloi t’i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë:«Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira dhe u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë.

10. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t’i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët.

11. Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët.

12. Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan.

13. Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt.”

14. Po kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona.”

15. Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë.Çfarë do t’u bëjë atyre i zoti i vreshtit?

16. Ai do të vijë e do t’i vrasë ata vreshtarë dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve».Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!».

17. Por Jezui hodhi sytë drejt tyre dhe tha: «Ç’kuptim kanë këto fjalë të Shkrimit të shenjtë: Guri që ndërtuesit e hodhën tej, u bë guri i qoshes?

18. Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë».

19. Skribët dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli.

Çështja e taksës së Cezarit

20. Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t’ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të qeveritarit.

21. Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet dhe mëson drejt, se nuk ndikohesh nga njerëzit, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë.

22. A është e lejueshme t’i paguajmë taksa Cezarit, apo jo?».

23. Por Jezui e kuptoi dinakërinë e tyre dhe u tha:

24. «Më tregoni një monedhë. Figurën dhe mbishkrimin e kujt mban kjo monedhë?».Ata i thanë: «Të Cezarit».

25. Jezui u tha: «Atëherë, jepini Cezarit ç’është e Cezarit dhe Perëndisë ç’është e Perëndisë».

26. Kështu, ata nuk mundën ta zinin në fjalë përpara popullit dhe, të mrekulluar me përgjigjen e tij, heshtën.

Çështja e ngjalljes

27. Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje,

28. prandaj e pyetën:«Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: Nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan pa fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t’i dhënë trashëgimtarë të vëllait.

29. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.

30. I dyti

31. e pastaj i treti u martuan me gruan e tij dhe që të shtatë nuk lanë fëmijë kur vdiqën.

32. Në fund vdiq edhe gruaja.

33. Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?».

34. Jezui u tha:«Bijtë e kësaj bote martohen dhe martojnë,

35. por ata që janë vlerësuar të denjë t’i përkasin botës tjetër dhe të arrijnë ngjalljen prej të vdekurve, as martohen, as martojnë.

36. Ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, meqenëse janë bij të ngjalljes.

37. Edhe Moisiu e ka treguar se të vdekurit do të ngjallen kur te shkurrja e quan Zotin, Perëndi të Abrahamit, Perëndi të Isakut dhe Perëndi të Jakobit.

38. Pra, ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Perëndinë».

39. Atëherë disa nga farisenjtë i thanë: «Mësues, fole mirë».

40. Dhe nuk guxonin ta pyesnin më.

Biri i Davidit

41. Pastaj Jezui u tha: «Si mund të thonë se Krishti është Biri i Davidit?

42. Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve: I tha Zoti, Zotit tim: ulu në të djathtën time,

43. derisa t’i vë armiqtë e tu si shtrojë e këmbëve të tua.

44. Nëse Davidi e quan Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».

Jezui qorton skribët

45. Kur gjithë populli po dëgjonte, Jezui u tha dishepujve të vet:

46. «Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me veshje të gjata dhe dëshirojnë t’i përshëndesin nëpër sheshe, të zënë vendet e para nëpër sinagoga dhe vendet e nderit nëpër festa.

47. Ata përlajnë gjithçka nga shtëpitë e vejushave dhe thonë lutje të gjata për t’u dukur. Kështu, ata do të marrin një dënim më të rëndë».