kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 11 Së Bashku (ALNT)

Ati ynë

1. Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni mësoi dishepujt e vet».

2. Ai u tha: «Kur të luteni thoni:Atë, u shenjtëroftë emri yt,ardhtë mbretëria jote!

3. Bukën tonë të përditshmena e jep çdo ditë

4. e na i fal mëkatet tona,sepse edhe ne ua falim fajtorëve tanë.E mos na shtjer në tundim».

5. Pastaj u tha:«E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, m’i jep tri bukë,

6. se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t’i vënë përpara.”

7. E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë.”

8. Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t’i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t’i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij.

9. Dhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t’ju hapet,

10. sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet.

11. A ka ndër ju ndonjë baba që do t’i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut?

12. Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t’i jepte një akrep?

13. Nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t’ua japë prej qiellit Shpirtin e Shenjtë atyre që ia kërkojnë!».

Jezui dhe Beelzebuli

14. Jezui po dëbonte një djall që ishte djalli i memecërisë. Kur u dëbua djalli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.

15. Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».

16. Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një mrekulli nga qielli.

17. Por Jezui që i njihte mendimet e tyre u tha:«Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës.

18. Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit?

19. Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj.

20. Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.

21. Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt.

22. Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën dhe u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.

23. Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.»

Kthimi i shpirtit të ndyrë

24. «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë, duke kërkuar prehje dhe kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola.”

25. Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar.

26. Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».

Lumnia e vërtetë

27. Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!».

28. Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!».

Jezuit i kërkojnë një mrekulli

29. Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte:«Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një mrekulli, por asaj nuk do t’i jepet asnjë mrekulli, përveç mrekullisë së Jonait.

30. Sikurse Jonai u bë shenjë mrekullie për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni.

31. Mbretëresha e Jugut do të ngjallet ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t’i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.

32. Njerëzit e Ninivës do të ngjallen ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.»

Drita e trupit

33. «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda.

34. Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë.

35. Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë.

36. Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».

Mjerë ju farisenj dhe mësues të ligjit

37. Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë.

38. Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante.

39. Atëherë Zoti i tha:«Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi.

40. Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen?

41. Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme dhe kështu do të keni të pastër gjithçka.

42. Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat.

43. Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe!

44. Mjerë ju që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».

45. Njëri nga mësuesit e ligjit të Moisiut iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra».

46. Por Jezui i tha:«Mjerë edhe ju, mësues të ligjit të Moisiut, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t’i mbajtur!

47. Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë!

48. Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret.

49. Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t’u dërgoj profetë dhe apostuj, por ata do t’i vrasin e disa do t’i përndjekin”,

50. që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës,

51. që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarias, që e vranë mes altarit dhe shenjtërores. Po, po ju them se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni.

52. Mjerë ju, mësues të ligjit të Moisiut, sepse keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por edhe të tjerët i penguat që të hyjnë».

53. Kur Jezui doli, skribët dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh,

54. duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte.