kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 3 Së Bashku (ALNT)

Predikimi i Gjon Pagëzorit

1. Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Cezar Tiberit, kur Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë dhe Herodi, tetrark i Galilesë, ndërsa vëllai i tij Filipi, tetrark i krahinës së Ituresë dhe Trakonitidës, kur Lisania ishte tetrark i Abilenës

2. dhe kryepriftërinj ishin Hanai dhe Kajafa, Gjonit, birit të Zakarisë, iu dha fjala e Perëndisë në shkretëtirë.

3. Ai shkoi në mbarë krahinën përreth Jordanit dhe u predikonte njerëzve që të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t’u faleshin mëkatet.

4. Siç është shkruar në librin e profetit Isaia: Një zë thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij.

5. Çdo luginë le të mbushet dhe çdo mal e kodër le të rrafshohet. Drejtoni udhët e shtrembra dhe rrafshoni rrugët e ashpra.

6. Çdo njeri do ta shohë shpëtimin e Perëndisë.

7. Gjoni u thoshte turmave që vinin për t’u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen?

8. Tregojeni me vepra se jeni penduar dhe mos filloni t’i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t’i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë.

9. Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr».

10. Turmat e pyetën: «Ç’duhet të bëjmë, atëherë?».

11. Gjoni u përgjigj: «Kush ka dy tunika, le t’ia japë njërën atij që nuk ka. Ai që ka për të ngrënë, le të veprojë po kështu».

12. Erdhën për t’u pagëzuar edhe tagrambledhësit dhe i thanë: «Mësues, ç’duhet të bëjmë?».

13. Ai u tha: «Mos mblidhni më shumë nga ç’ju është ngarkuar».

14. Edhe disa ushtarë e pyetën: «Po ne, ç’duhet të bëjmë?». Gjoni u tha: «Mos i merrni askujt gjë me dhunë dhe duke mashtruar, por kënaquni me pagën tuaj».

15. Populli ishte në pritje dhe të gjithë mendonin në zemrat e tyre se mos Gjoni ishte Krishti.

16. Atëherë Gjoni u tha: «Unë po ju pagëzoj me ujë, por po vjen dikush më i fuqishëm se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë dhe me zjarr.

17. Ai e mban në dorë terploten për ta ndarë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunarin e tij, ndërsa kashtën do ta djegë në zjarrin që nuk shuhet kurrë».

18. Gjoni ia shpallte lajmin e mirë popullit edhe me shumë porosi të tjera.

19. Herod Tetrarku, të cilin Gjoni e kishte qortuar për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të vet, si edhe për të gjitha të këqijat që kishte bërë,

20. bëri edhe këtë të keqe: e futi Gjonin në burg.

Pagëzimi i Jezuit

21. Kur u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jezui dhe kur po lutej, u hap qielli

22. dhe mbi të zbriti Shpirti i Shenjtë në trajtë trupore si pëllumb. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».

Breznitë e Jezuit

23. Kur Jezui e filloi shërbesën e vet, ishte rreth tridhjetë vjeç. Jezuin e pandehnin se ishte biri i Jozefit. Jozefi ishte bir i Eliut,

24. bir i Matatit, bir i Levit, bir i Melkiut, bir i Janait, bir i Jozefit,

25. bir i Matatisë, bir i Amosit, bir i Naumit, bir i Esliut, bir i Nagait,

26. bir i Mahatit, bir i Matatisë, bir i Semeinit, bir i Josekut, bir i Jodës,

27. bir i Joananit, bir i Resës, bir i Zorobabelit, bir i Salatielit, bir i Nerit,

28. bir i Melkiut, bir i Adiut, bir i Kosamit, bir i Elmadamit, bir i Erit,

29. bir i Jozueut, bir i Eliezerit, bir i Jorimit, bir i Matatit, bir i Levit,

30. bir i Simeonit, bir i Judës, bir i Jozefit, bir i Jonamit, bir i Eliakimit,

31. bir i Meleas, bir i Menait, bir i Matatës, bir i Natamit, bir i Davidit,

32. bir i Jeseut, bir i Jobedit, bir i Boozit, bir i Salait, bir i Naasonit,

33. bir i Aminadabit, bir i Adminit, bir i Arnit, bir i Esromit, bir i Faresit, bir i Judës,

34. bir i Jakobit, bir i Isakut, bir i Abrahamit, bir i Tarait, bir i Nahorit,

35. bir i Serukut, bir i Ragaut, bir i Falekut, bir i Eberit, bir i Salait,

36. bir i Kainamit, bir i Arfaksadit, bir i Semit, bir i Noeut, bir i Lamekut,

37. bir i Matusalait, bir i Enokut, bir i Jaretit, bir i Maleleelit, bir i Kainamit,

38. bir i Enout, bir i Setit, bir i Adamit, bir i Perëndisë.