kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 16 Së Bashku (ALNT)

Shëmbëlltyra e shërbëtorit të pandershëm

1. Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet:«Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë.

2. Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestari i pasurisë.”

3. Atëherë kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç’të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp.

4. E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre.”

5. Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”

6. Ai i tha: “Njëqind masa vaj.”Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë.”

7. Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”.Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë.”Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë.”

8. Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, sepse kishte vepruar me zgjuarsi. Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në punët me njëri-tjetrin.

9. Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t’ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara.

10. Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë.

11. Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t’jua besojë pasuritë e vërteta?

12. Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t’jua japë atë që është juaja?

13. Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».

Ligji i Moisiut dhe mbretëria e Perëndisë

14. Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin.

15. Atëherë ai u tha:«Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë.

16. Ligji i Moisiut e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdha.

17. Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t’i hiqet ligjit të Moisiut qoftë edhe një pikë.

18. Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore.»

Lazari dhe pasaniku

19. «Ishte një njeri i pasur, që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm dhe jetonte çdo ditë në luks.

20. Te dera e tij rrinte një i varfër me emrin Lazar. Ai ishte i mbuluar me plagë

21. e dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Edhe qentë vinin e i lëpinin plagët.

22. I varfri vdiq dhe engjëjt e çuan të rrinte me Abrahamin.Edhe pasaniku vdiq e u varros.

23. Në ferr, ku po vuante torturat, ngriti sytë e pa diku larg Abrahamin me Lazarin përbri.

24. Atëherë tha me zë të lartë: “Atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazarin që ta ngjyejë gishtin në ujë e të më freskojë gjuhën, se këto flakë po më mundojnë.”

25. Por Abrahami i tha: “Biri im, kujtohu se ti i more të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazari mori të këqijat. Tani ky gëzon këtu, ndërsa ti vuan.

26. Pastaj, midis jush e nesh është caktuar një hendek i madh, në mënyrë që ata që do të donin të kalonin që këndej te ju, të mos munden dhe askush nuk mund të kalojë që andej te ne.”

27. Pasaniku i tha: “Atëherë, o atë, po të lutem ta dërgosh te shtëpia e tim ati,

28. se kam pesë vëllezër. Le t’i paralajmërojë që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.”

29. Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun e profetët. Ata duhet të dëgjojnë.”

30. Ai tha: “Jo, atë Abraham, por nëse shkon dikush nga të vdekurit, do të pendohen.”

31. Abrahami i tha: “Nëse nuk dëgjojnë Moisiun e profetët, atëherë nuk do të binden edhe sikur dikush të ngjallet prej të vdekurve”».