kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 23 Së Bashku (ALNT)

Jezui para Pilatit

1. Atëherë tërë turma e tyre u ngrit, e çuan Jezuin te Pilati

2. dhe filluan ta padisnin kështu: «E zumë këtë njeri duke e nxjerrë popullin tonë nga udha. Ai ndalon që t’i paguhen taksat Cezarit, e quan veten Krisht dhe thotë se është mbret».

3. Atëherë Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?».Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua».

4. Atëherë Pilati u tha kryepriftërinjve dhe turmave: «Nuk gjej asnjë faj te ky njeri».

5. Por ata ngulnin këmbë e thoshin: «Ai e ngre popullin në këmbë duke mësuar njerëzit nëpër tërë Judenë, që nga Galileja, deri këtu».

Jezui para Herodit

6. Kur e dëgjoi këtë, Pilati pyeti nëse ky njeri ishte galileas.

7. Si mori vesh se Jezui vinte nga krahina që qeverisej prej Herodit, e dërgoi tek ai, meqenëse Herodi gjendej në Jerusalem ato ditë.

8. Kur e pa Jezuin, Herodi u gëzua shumë. Ai kishte shumë kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar për Jezuin dhe shpresonte ta shihte duke bërë ndonjë mrekulli.

9. Ai e pyeti gjatë, por Jezui nuk iu përgjigj.

10. Aty ishin edhe kryepriftërinjtë e skribët, të cilët e padisnin plot zemërim.

11. Edhe Herodi me ushtarët e vet e tallën dhe e përqeshën Jezuin. Pastaj i hodhën mbi supe një veshje të shndritshme dhe e dërguan te Pilati.

12. Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, sepse më parë kishin qenë në armiqësi.

Jezui dënohet me vdekje

13. Atëherë Pilati thirri kryepriftërinjtë, krerët dhe popullin

14. e u tha: «Më keni sjellë këtë njeri e më thoni se ai e nxjerr popullin nga udha. Ja, unë e hetova para syve tuaj, por nuk e gjeta te ky njeri fajin për të cilin e padisni

15. dhe as Herodi, sepse ai e ktheu te ne. Ky nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen.

17 . Pilati ishte i detyruar të lironte dikë për ta, me rastin e çdo feste.».

18. Atëherë ata bërtitën të gjithë së bashku: «Vrite këtë e na liro Barabën».

19. Barabën e kishin futur në burg për një kryengritje që kishte ndodhur në qytet dhe për vrasje.

20. Pilati, që dëshironte ta lironte Jezuin, iu drejtua përsëri atyre,

21. por ata bërtisnin e thoshin: «Kryqëzoje, kryqëzoje!».

22. Për të tretën herë ai u tha: «Përse, ç’të keqe ka bërë? Nuk kam gjetur tek ai asnjë faj për ta dënuar me vdekje, prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj».

23. Por ata ngulnin këmbë dhe kërkonin me britma të mëdha që të kryqëzohej. Ulërimat e tyre bëheshin gjithnjë e më të forta.

24. Atëherë Pilati vendosi që t’u plotësohej kërkesa.

25. Liroi njeriun që kishin kërkuar, atë që ishte futur në burg për kryengritje dhe vrasje, dhe u dorëzoi Jezuin, siç dëshironin ata.

Kryqëzimi i Jezuit

26. Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën një farë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit.

27. Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin dhe qanin për të,

28. por Jezui u kthye drejt tyre dhe u tha:«Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj.

29. Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”

30. Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: “bini mbi ne” dhe kodrave: “na mbuloni!”.

31. Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?».

32. Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t’i kryqëzuar bashkë me Jezuin.

33. Kur arritën te vendi që quhej ‘Kafka’, kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetrin në të majtë të tij.

34. Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë».Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij.

35. Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin dhe thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten».

36. Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull

37. e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!».

38. Mbi të gjendej ky mbishkrim: «Ky është mbreti i judenjve».

39. Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!».

40. Por tjetri e qortoi dhe i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai?

41. Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe».

42. Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde».

43. Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë».

Vdekja e Jezuit

44. Aty nga mesdita, errësira mbuloi gjithë tokën deri në orën tre pasdite.

45. Dielli u zu dhe veli i tempullit u gris më dysh.

46. Atëherë Jezui thirri me zë të lartë e tha: «Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim». Pasi tha këto, dha shpirt.

47. Kur pa çfarë kishte ndodhur, centurioni përlëvdoi Perëndinë e tha: «Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë».

48. Të gjitha turmat që ishin mbledhur aty për të parë këtë ngjarje, panë se çfarë ndodhi dhe u kthyen duke rrahur kraharorin.

49. Ndërsa të gjithë të njohurit e tij, bashkë me gratë që e kishin ndjekur që nga Galileja, rrinin në një farë largësie dhe shikonin këto gjëra.

Varrimi i Jezuit

50. Aty ishte një njeri i mirë dhe i drejtë me emrin Jozef. Ai ishte anëtar i sinedrit,

51. por nuk e kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Jozefi ishte nga Arimateja, një qytet i Judesë, dhe priste mbretërinë e Perëndisë.

52. Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit.

53. Atëherë e zbriti nga kryqi, e mbështolli me një pëlhurë prej liri dhe e vendosi në një varr të hapur në shkëmb, ku nuk ishte vënë ende askush.

54. Ishte e premte, duke u gdhirë e shtunë.

55. Gratë, që kishin ardhur nga Galileja me Jezuin, e ndoqën pas Jozefin. Ato e panë varrin dhe sesi ishte vendosur trupi i Jezuit.

56. Pastaj u kthyen dhe përgatitën vajra erëmirë dhe mirrë.Të shtunën pushuan sipas ligjit të Moisiut.