kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 22 Së Bashku (ALNT)

Komploti kundër Jezuit

1. Ndërkaq po afrohej Festa e Bukëve të Pambrujtura, që quhet Pashkë.

2. Kryepriftërinjtë dhe skribët po kërkonin sesi ta vrisnin Jezuin, por kishin frikë nga populli.

3. Atëherë Satani hyri te Juda që quhej Iskariot dhe që ishte njëri prej të dymbëdhjetëve.

4. Ky shkoi për t’u marrë vesh me kryepriftërinjtë dhe rojat sesi mund t’ua dorëzonte Jezuin.

5. Ata u gëzuan shumë dhe ranë në një mendje për t’i dhënë para.

6. Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t’ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma.

Përgatitja e Darkës së Pashkës

7. Kur erdhi dita e Festës së Bukëve të Pambrujtura, kur flijohej qengji i Pashkës,

8. Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin dhe u tha: «Shkoni dhe bëni përgatitjet që të hamë Pashkën».

9. Ata e pyetën: «Ku dëshiron që ta përgatisim?».

10. Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai

11. dhe i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”.

12. Në katin e sipërm ai do t’ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën».

13. Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën darkën e Pashkës.

Darka e Zotit

14. Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me dishepujt.

15. Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj,

16. sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë».

17. Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit dhe tha: «Merreni dhe ndajeni këtë mes jush.

18. Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë».

19. Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve dhe tha: «Ky është trupi im, që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim».

20. Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që derdhet për ju.

21. Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë.

22. Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton».

23. Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre mund të ishte ai që do ta bënte këtë gjë.

Kush është më i madhi

24. Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi.

25. Por Jezui u tha:«Mbretërit e paganëve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës.

26. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi nga ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori.

27. Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.

28. Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia

29. dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im,

30. që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.»

Jezui parathotë mohimin e Pjetrit

31. «Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t’ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin,

32. por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu».

33. Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg dhe në vdekje».

34. Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh».

Parà, trastë dhe shpatë

35. Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë dhe pa sandale, a ju mungoi gjë?».Ata i thanë: «Asgjë».

36. Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t’i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë mantelin e vet dhe të blejë një shpatë.

37. Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet Shkrimi i shenjtë që thotë: U radhit me të paudhët. E me të vërtetë, çfarë është thënë për mua po përmbushet».

38. Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata».Ai u përgjigj: «Është mjaft».

Lutja në Malin e Ullinjve

39. Jezui doli e shkoi në Malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij.

40. Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim».

41. Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë dhe u lut

42. kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!».

43. Pastaj iu shfaq një engjëll nga qielli dhe i dha forcë.

44. Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë.

45. Kur u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur nga trishtimi.

46. Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni dhe lutuni që të mos bini në tundim».

Jezuin e tradhtojnë dhe e arrestojnë

47. Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur,

48. por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?».

49. Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t’u biem me shpata?».

50. Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë,

51. por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi.

52. Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar?

53. Unë isha çdo ditë me ju në tempull dhe nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».

Pjetri mohon Jezuin

54. Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg.

55. Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre.

56. Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë dhe tha: «Edhe ky njeri ishte me të».

57. Por Pjetri e mohoi dhe tha: «Grua, unë nuk e njoh atë».

58. Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin dhe tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri».

59. Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas».

60. Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërkohë që ai po fliste, këndoi gjeli.

61. Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë».

62. Pastaj doli përjashta dhe qau me hidhërim.

Jezuin e tallin dhe e rrahin

63. Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin.

64. Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjeje kush të goditi?».

65. Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera.

Jezui para sinedrit

66. Kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e skribët, dhe e çuan Jezuin në sinedrin e tyre

67. e i thanë: «Nëse je Krishti, na e thuaj».Por Jezui u tha: «Po t’jua them, nuk do të më besoni,

68. dhe po t’ju pyes, nuk do të më përgjigjeni,

69. por që tani Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e Perëndisë të pushtetshëm».

70. Atëherë të gjithë thanë: «A je ti, pra, Biri i Perëndisë?».Dhe Jezui u tha: «Ju po e thoni. Unë jam».

71. Dhe ata thanë: «Për çfarë dëshmie tjetër kemi nevojë? E dëgjuam vetë nga goja e tij».