kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Re

Luka 10 Së Bashku (ALNT)

Dërgimi i shtatëdhjetë e dy dishepujve

1. Pas këtyre gjërave, Zoti caktoi shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi përpara dy nga dy në çdo qytet dhe në çdo vend ku do të shkonte ai vetë.

2. Dhe u tha:«Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta.

3. Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat mes ujqërve.

4. Mos merrni me vete as para, as trastë, as sandale. Udhës mos përshëndetni askënd.

5. Në cilëndo shtëpi të hyni, së pari thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”

6. Nëse dikush aty është bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet te ju.

7. Qëndroni në atë shtëpi dhe hani e pini çfarë t’ju shtrojnë përpara, sepse punëtori ka të drejtë të shpërblehet. Mos u endni nga një shtëpi në tjetrën.

8. Në çdo qytet që të hyni e t’ju mirëpresin, hani çfarë t’ju vënë përpara,

9. shëroni të sëmurët që gjenden aty e u thoni: “Mbretëria e Perëndisë është pranë jush.”

10. Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni:

11. “Edhe pluhurin e qytetit tuaj që na është ngjitur këmbëve, po e shkundim kundër jush. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.”

12. Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet.»

Mjerë qytetet e papenduara

13. «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi.

14. Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit.

15. Po ti, Kafarnaum,mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?Në ferr do të plandosesh.

16. Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua dhe kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar».

Kthimi i të shtatëdhjetedyve

17. Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim dhe i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!».

18. Jezui u tha:«E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe.

19. Ja, ju kam dhënë pushtet që të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t’ju bëjë keq.

20. Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell».

Gëzimi i Jezuit

21. Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i Shenjtë e tha:«Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty.

22. Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij të cilit Biri dëshiron t’ia zbulojë».

23. Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve dhe u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju!

24. Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan».

Samaritani i mirë

25. Atëherë një mësues i ligjit të Moisiut u ngrit për ta vënë në provë Jezuin dhe i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?».

26. Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligjin e Moisiut? Çfarë lexon atje?».

27. Ai iu përgjigj: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje tjetrin si veten».

28. Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh».

29. Por ai, meqenëse donte t’i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është tjetri?».

30. Jezui iu përgjigj:«Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.

31. Rastësisht një prift po zbriste asaj rruge dhe, kur e pa, kaloi në anën tjetër.

32. Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër.

33. Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të.

34. Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të.

35. Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër.”

36. Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “tjetri” për atë që ra në duart e kusarëve?».

37. Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë».Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!».

Jezui shkon te Marta e Maria

38. Ndërsa po udhëtonin, Jezui hyri në një fshat, ku një grua me emrin Marta e priti në shtëpi.

39. Ajo kishte një motër që quhej Mari, që u ul te këmbët e Zotit dhe dëgjonte fjalët e tij.

40. Por Marta ishte e zënë me punë të shumta, prandaj erdhi te Jezui e i tha: «Zot, a nuk e vë re se motra ime më ka lënë t’i bëj të gjitha punët vetëm? Thuaji, pra, të më ndihmojë!».

41. Por Zoti iu përgjigj: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar dhe e zënë me shumë gjëra,

42. por vetëm një gjë është e nevojshme. Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që nuk do t’i merret».