kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 9 Së Bashku (ALNT)

Jezui shëron një të paralizuar

1. Si hipi në varkë, Jezui kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet.

2. Atëherë i sollën një të paralizuar, të shtrirë në një vig. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Merr zemër, biri im, të janë falur mëkatet».

3. Disa nga skribët thanë me vete: «Ky po fyen Perëndinë».

4. Meqenëse Jezui i njihte mendimet e tyre, u tha: «Pse keni këto mendime të këqija në zemrat tuaja?

5. Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet”, apo të thuash “ngrihu dhe ec”?

6. Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë» - i tha të paralizuarit - «ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!».

7. Ai u ngrit e shkoi në shtëpi.

8. Kur panë këtë gjë, turmat i zuri frika dhe përlëvduan Perëndinë, që u kishte dhënë njerëzve një pushtet kaq të madh.

Thirrja e Mateut

9. Si u largua prej andej, Jezui pa një njeri që rrinte ulur në bankën e tagrave dhe që quhej Mate. Jezui i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit dhe i shkoi pas.

10. Ndërsa ishin ulur për të ngrënë në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, që u ulën në tryezë me Jezuin dhe me dishepujt e tij.

11. Kur panë këtë gjë, farisenjtë u thanë dishepujve: «Përse mësuesi juaj ha me tagrambledhës e me mëkatarë?».

12. Por kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.

13. Shkoni e mësoni çfarë do të thotë: Dua mëshirë dhe jo flijime. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët».

Agjërimi

14. Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: «Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shumë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?».

15. Jezui u tha:«A mund të mbajnë zi dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin e atëherë do të agjërojnë.

16. Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën dhe grisja bëhet më e madhe.

17. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja».

Bija e kryetarit të sinagogës dhe gruaja me hemorragji

18. Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë dhe i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë».

19. Jezui u ngrit e shkoi pas tij bashkë me dishepujt.

20. Dhe ja, një grua që vuante nga hemorragjia prej dymbëdhjetë vjetësh iu afrua nga pas dhe i preku cepin e mantelit.

21. Sepse thoshte me vete: «Sikur t’i prek vetëm mantelin, do të shpëtoj».

22. Jezui u kthye, e pa dhe i tha: «Merr zemër, bija ime, besimi yt të shpëtoi». Dhe që nga ai çast ajo grua u shërua.

23. Kur arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët e turmën e zhurmshme,

24. Jezui tha: «Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën.

25. Kur e nxorën turmën përjashta, ai hyri, e mori vajzën për dore dhe ajo u ngrit.

26. Lajmi për këtë mrekulli u përhap në mbarë krahinën.

Jezui shëron dy të verbër

27. Kur Jezui u largua që andej, i shkuan pas dy të verbër, që thërrisnin: «Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!».

28. Si arritën në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezui u tha: «A besoni se mund ta bëj këtë gjë?».Ata i thanë: «Po, o Zot!».

29. Atëherë ai u preku sytë dhe u tha: «U bëftë sipas besimit tuaj!».

30. Dhe atyre iu hapën sytë. Jezui i urdhëroi: «Kini kujdes se mos e merr vesh njeri».

31. Por ata, sapo dolën, e përhapën lajmin në mbarë krahinën.

Jezui shëron një shurdhmemec

32. Ndërsa po dilnin, i sollën një shurdhmemec që ishte i pushtuar nga djalli.

33. Kur u dëbua djalli, shurdhmemeci foli dhe turmat u mrekulluan e thanë: «Nuk është parë asnjëherë një gjë e tillë në Izrael».

34. Por farisenjtë thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».

Dhembshuria e Jezuit

35. Jezui i përshkoi të gjitha qytetet dhe fshatrat duke mësuar njerëzit në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë.

36. Kur pa turmat, iu dhimbsën, sepse ishin të lodhura dhe të braktisura, si delet pa bari.

37. Atëherë u tha dishepujve: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak.

38. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta».