kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 25 Së Bashku (ALNT)

Shëmbëlltyra e dhjetë vajzave

1. «Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me dhjetë virgjëresha, që morën kandilat dhe shkuan për të takuar dhëndrin.

2. Pesë prej tyre ishin të marra dhe pesë të mençura.

3. Të marrat, kur morën kandilat, nuk morën vaj me vete,

4. ndërsa të mençurat morën enë vaji për kandilat.

5. Dhëndri u vonua dhe ato dremitën të gjitha e i zuri gjumi.

6. Por në mesnatë dikush thirri: “Erdhi dhëndri, dilni për ta takuar.”

7. Atëherë të gjitha virgjëreshat u zgjuan për të bërë gati kandilat.

8. Të marrat u thanë të mençurave: “Na jepni pak nga vaji juaj, se po na fiken kandilat.”

9. Por të mençurat u përgjigjën: “Jo, se pastaj nuk do të na mjaftojë as neve e as juve. Më mirë shkoni te tregtarët e blini.”

10. Kur shkuan për të blerë, arriti dhëndri. Virgjëreshat që ishin gati hynë së bashku me të në dasmë dhe dera u mbyll.

11. Pastaj erdhën virgjëreshat e tjera dhe thanë: “Zotëri, zotëri, na e hap derën!”.

12. Por ai u përgjigj: “Me të vërtetë po ju them se nuk ju njoh.”

13. Rrini zgjuar, pra, se nuk e dini as ditën e as orën.»

Shëmbëlltyra e monedhave

14. «Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që, para se të nisej për në një vend të huaj, thirri shërbëtorët e vet dhe u besoi pasurinë.

15. Njërit i dha pesëqind monedha ari, një tjetri dyqind dhe tjetrit njëqind, secilit sipas aftësisë që kishte. Pastaj u nis për rrugë.

16. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, shkoi menjëherë, bëri tregti me to dhe fitoi edhe pesëqind të tjera.

17. Po ashtu ai që kishte marrë dyqind monedha, fitoi edhe dyqind të tjera.

18. Por, ai që kishte marrë njëqind monedha, shkoi, gërmoi tokën dhe i fshehu atje monedhat e zotërisë së vet.

19. Pas një kohe të gjatë i zoti i këtyre shërbëtorëve erdhi dhe bëri llogaritë me ta.

20. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, erdhi dhe solli edhe pesëqind të tjera dhe tha: “Zotëri, më dhe pesëqind monedha, ja, fitova edhe pesëqind të tjera.”

21. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti.”

22. Edhe ai që kishte marrë dyqind monedha erdhi e tha: “Zotëri, më dhe dyqind monedha, ja, fitova edhe dyqind të tjera.”

23. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti.”

24. Edhe ai që kishte marrë njëqind monedha, erdhi e tha: “Zotëri, unë të njoh për njeri të rreptë, që korr ku nuk ke mbjellë dhe mbledh ku nuk ke shpërndarë,

25. prandaj pata frikë dhe shkova e i fsheha në tokë monedhat që më dhe. Merri, ja ku i ke!”

26. Por i zoti iu përgjigj: “Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac. Ti e paske ditur se unë korr ku nuk kam mbjellë dhe mbledh ku nuk kam shpërndarë?

27. Atëherë duhej t’i kishe futur paratë e mia në bankë, që kur të kthehesha, t’i merrja bashkë me fitimin.

28. Prandaj merrjani këtij monedhat dhe jepjani atij që ka një mijë,

29. sepse atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë dhe do t’i teprojë, por atij që nuk ka do t’i merret edhe ajo që ka.

30. Shërbëtorin e pavlerë hidheni përjashta në errësirë, ku ka vajtim dhe kërcëllimë dhëmbësh.”»

Gjykimi i kombeve

31. «Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij bashkë me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e tij të lavdishëm.

32. Të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t’i ndajë njërin nga tjetri, siç ndan bariu delet nga dhitë.

33. Delet do t’i vërë në të djathtë, ndërsa dhitë në të majtë.

34. Pastaj mbreti do t’u thotë atyre që janë në të djathtën e tij: “Ejani, o të bekuarit e Atit tim, trashëgojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga krijimi i botës,

35. sepse pata uri e më dhatë për të ngrënë, pata etje e më dhatë për të pirë, isha i huaj e më pritët,

36. isha i zhveshur e më veshët, isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni, isha në burg dhe erdhët tek unë.”

37. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen: “Zot, kur të pamë të uritur e të dhamë për të ngrënë? Ose të pamë të etur e të dhamë për të pirë?

38. Dhe kur të pamë të huaj e të pritëm apo të pamë të zhveshur e të veshëm?

39. Kur të pamë të sëmurë ose në burg dhe erdhëm te ti?”.

40. Mbreti do t’u përgjigjet: “Me të vërtetë po ju them se sa herë që e keni bërë këtë gjë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua.”

41. Pastaj do t’u thotë atyre që janë në të majtën e tij: “Largohuni prej meje, o të mallkuar, në zjarrin e amshuar, që është përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij,

42. sepse pata uri e nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje e nuk më dhatë për të pirë,

43. isha i huaj e nuk më pritët, isha i zhveshur e nuk më veshët, isha i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët të më shihni.”

44. Atëherë edhe ata do të përgjigjen: “O Zot, kur të pamë të uritur, të etur, të huaj, të zhveshur, të sëmurë apo në burg e nuk të shërbyem?”.

45. Ai do t’u përgjigjet: “Me të vërtetë po ju them se sa herë që nuk e keni bërë këtë për ndonjërin nga vëllezërit e mi më të vegjël, nuk ma keni bërë as mua.”

46. Këta do të shkojnë në dënimin e amshuar, ndërsa të drejtët në jetën e amshuar».