kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 15 Së Bashku (ALNT)

Tradita e të parëve

1. Farisenjtë dhe skribët erdhën te Jezui nga Jerusalemi dhe i thanë:

2. «Përse dishepujt e tu e shkelin traditën e të parëve? Ata nuk i lajnë duart kur hanë».

3. Jezui u përgjigj:«Po ju, pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj?

4. Se Perëndia ka thënë: Ndero babanë tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për babanë e nënën, të dënohet me vdekje.

5. Por ju thoni: “Kush i thotë babait apo nënës se ndihmën që do t’ju jepja juve po ia kushtoj Perëndisë,

6. ai është i çliruar nga detyrimi për të nderuar babanë.” Kështu, për shkak të traditës suaj keni shfuqizuar fjalën e Perëndisë.

7. Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha:

8. Ky popull më nderon me buzë, por zemrat e tyre janë larg meje.

9. Më kot më nderojnë, përderisa japin si mësim të Zotit urdhrat e njerëzve.»

10. Pastaj e thirri turmën pranë vetes dhe tha: «Dëgjoni e merrni vesh!

11. Njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por e ndot ajo që del prej saj».

12. Atëherë erdhën dishepujt e i thanë: «A e di se farisenjtë janë skandalizuar kur e kanë dëgjuar këtë gjë?».

13. Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë.

14. Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë».

15. Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë».

16. Jezui tha:«Ende nuk e keni kuptuar?

17. A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet?

18. Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun.

19. Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme dhe fyerjet.

20. Këto e ndotin njeriun dhe jo ngrënia me duar të palara».

Besimi i gruas kananease

21. Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit.

22. Dhe ja, një grua kananease nga ajo krahinë shkoi dhe i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli».

23. Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur».

24. Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit».

25. Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!».

26. Ai iu përgjigj: «Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh qenve».

27. Ajo i tha: «Po, o Zot, por edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza e të zotëve».

28. Pastaj Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! Le të bëhet ashtu siç dëshiron». Vajza e saj u shërua që në atë çast.

Jezui shëron shumë njerëz

29. Jezui u largua që andej dhe shkoi bregut të Liqenit të Galilesë. U ngjit në mal dhe u ul aty.

30. Turma të mëdha erdhën tek ai duke sjellë me vete të çalë, të verbër, të gjymtuar, memecë e shumë të tjerë. I ulën te këmbët e tij dhe ai i shëroi.

31. Kështu turmat u mrekulluan kur panë memecët që po flisnin, të gjymtuarit që shëroheshin, të çalët që ecnin, të verbërit që shikonin dhe përlëvduan Perëndinë e Izraelit.

Jezui ushqen katërmijë veta

32. Pastaj Jezui thirri pranë vetes dishepujt dhe u tha: «Më dhimbset turma, sepse kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t’i lë të shkojnë të uritur e të mbeten rrugës».

33. Dishepujt i thanë: «Ku do ta gjejmë ne gjithë atë bukë në shkretëtirë për të ushqyer tërë këtë turmë?».

34. Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë bukë dhe disa peshq të vegjël».

35. Pasi urdhëroi turmën të ulej përdhe,

36. mori shtatë bukët dhe peshqit, tha lutjen e falënderimit, i theu bukët, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave.

37. Të gjithë hëngrën e u ngopën dhe morën me vete shtatë shporta me copat që tepruan.

38. Ata që hëngën ishin katër mijë burra, përveç grave e fëmijëve.

39. Jezui i shpërndau turmat, hipi në varkë e shkoi në krahinën e Magadanit.