kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 24 Së Bashku (ALNT)

Jezui parathotë shkatërrimin e tempullit

1. Kur Jezui doli nga tempulli dhe po largohej, erdhën dishepujt dhe i treguan ndërtesat e tempullit.

2. Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».

Fillimi i fundit

3. Kur Jezui po rrinte në Malin e Ullinjve, erdhën dishepujt dhe i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?».

4. Jezui u tha:«Hapni sytë se mos ju mashtron njeri,

5. sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.

6. Do të dëgjoni për luftëra e lajme luftërash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi.

7. Një komb do të ngrihet kundër një kombi tjetër dhe një mbretëri kundër një mbretërie tjetër. Do të ketë zi buke dhe tërmete në disa vende,

8. por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes.

9. Do t’ju dorëzojnë në mundime e do t’ju vrasin dhe të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.

10. Do të ketë nga ata që do të largohen nga besimi, do të tradhtojnë dhe do të urrejnë njëri-tjetrin.

11. Do të dalin shumë profetë të rremë dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.

12. Kaq shumë do të përhapet paudhësia, saqë për shkak të saj do të ftohet dashuria e shumë njerëzve.

13. Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet.

14. Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi.»

Shkretimi i madh

15. «Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel - kush lexon le ta kuptojë -

16. atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve.

17. Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij!

18. Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë mantelin!

19. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë!

20. Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën.

21. Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, që nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë.

22. Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, po për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen.

23. Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!”, ose “Ja, është këtu!”, mos i besoni.

24. Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë mrekulli të mëdha e shenja, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit,

25. por, ja, unë ju paralajmërova.

26. Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është i fshehur këtu!”, mos u besoni.

27. Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim.

28. Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët.»

Ardhja e Birit të njeriut

29. «Menjëherë pas pikëllimit të atyre ditëve,dielli do të errësohetdhe hëna nuk do të japë dritë.Yjet do të bien nga qiellidhe pushtetet qielloredo të tronditen.

30. Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut dhe të gjitha fiset e tokës do të mbajnë zi e do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe.

31. Do të buçasë trumbeta e madhe dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij në të katër anët e tokës për të mbledhur të zgjedhurit, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës.»

Mësimi nga fiku i tharë

32. «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë dhe nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera.

33. Kështu edhe ju kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera.

34. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra.

35. Qielli e toka do të shkojnë, por fjalët e mia jo.»

Dita dhe ora e fshehtë

36. «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.

37. Siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.

38. Ashtu sikurse gjatë atyre ditëve përpara përmbytjes njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyri në arkë,

39. dhe nuk dinin gjë derisa erdhi përmbytja dhe i zhduku, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.

40. Atëherë, prej dy vetave që do të gjenden në arë, njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.

41. Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret dhe tjetra do të lihet.

42. Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zoti.

43. Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i vidhej shtëpia.

44. Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni.»

Shërbëtori besnik dhe ai i mbrapshtë

45. «Cili është ai shërbëtor besnik dhe i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur?

46. Lum ai shërbëtor që kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu.

47. Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t’ia besojë të gjitha pasuritë e veta.

48. Por, nëse ai shërbëtor i mbrapshtë thotë me vete: “Zotëria im po vonohet”

49. dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë dhe ha e pi me të dehurit,

50. atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di,

51. do ta dënojë ashpër dhe do ta hedhë atje ku dënohen hipokritët. Aty do të ketë vajtim dhe kërcëllimë dhëmbësh.»