kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 2 Së Bashku (ALNT)

Ardhja e dijetarëve

1. Kur u lind Jezui në Betlehem të Judesë, në kohën kur ishte mbret Herodi, disa dijetarë erdhën nga Lindja në Jerusalem

2. dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm ta adhurojmë».

3. Kur e dëgjoi këtë mbreti Herod, u shqetësua ai dhe tërë Jerusalemi.

4. Atëherë mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Krishti.

5. Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë, sepse kështu shkruan profeti:

6. E ti, Betlehem,tokë e Judesë, nuk je aspak më i vogli ndër prijësit e Judesë, sepse prej teje do të lindë një prijës, që do të jetë bariu i popullit tim Izraelit».

7. Atëherë Herodi thirri fshehurazi dijetarët dhe mori vesh prej tyre kohën e saktë se kur ishte shfaqur ylli.

8. Pastaj i nisi për në Betlehem dhe u tha: «Shkoni e pyesni me hollësi për fëmijën dhe kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë e ta adhuroj».

9. Pasi dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija.

10. Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë.

11. Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan dhe mirrë.

12. Të lajmëruar në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

Ikja në Egjipt

13. Si u nisën dijetarët, engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: «Ngrihu, merre fëmijën dhe të ëmën, ik në Egjipt dhe rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë».

14. Ai u ngrit, mori fëmijën dhe të ëmën e u nis nëpër natë për në Egjipt.

15. Qëndroi atje derisa vdiq Herodi, që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti përmes profetit: Nga Egjipti e thirra birin tim.

Vrasja e fëmijëve

16. Kur mori vesh se dijetarët e kishin mashtruar, Herodi u zemërua shumë dhe dërgoi të vrisnin në Betlehem dhe në mbarë atë krahinë të gjithë fëmijët meshkuj që ishin dy vjeç e poshtë, sipas kohës së saktë që kishte marrë vesh nga dijetarët.

17. Atëherë u përmbush çfarë kishte thënë profeti Jeremia:

18. U dëgjua një zë në Ramë,vajtim dhe gjëmë e madhe. Rakela vajton fëmijët e saj dhe nuk do që ta ngushëllojnë, sepse ata nuk janë më.

Kthimi nga Egjipti

19. Kur vdiq Herodi, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt

20. dhe i tha: «Ngrihu, merr me vete fëmijën dhe të ëmën dhe nisu për në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur».

21. Jozefi u ngrit, mori me vete fëmijën dhe të ëmën e u nis për në tokën e Izraelit.

22. Por pati frikë të shkojë atje kur mori vesh se në Jude sundonte Arkelau, në vend të Herodit, atit të tij. I lajmëruar në ëndërr, shkoi në krahinën e Galilesë

23. dhe u vendos në një qytet të quajtur Nazaret, që të përmbushej thënia e profetëve: «Do të quhet nazaretas».