kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 27 Së Bashku (ALNT)

Jezuin e çojnë te Pilati

1. Në mëngjes herët të gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit vendosën së bashku ta dënonin Jezuin me vdekje.

2. Pasi e lidhën, e morën dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit.

Vdekja e Judës

3. Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, u pendua, ia ktheu kryepriftit e pleqve tridhjetë monedhat e argjendta

4. dhe u tha: «Kam mëkatuar se tradhtova gjakun e pafajshëm».Ata i thanë: «E ç’na duhet neve?! Kjo është punë për ty».

5. Pasi hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largua dhe shkoi e vari veten.

6. Kryepriftërinjtë morën monedhat e argjendta dhe thanë: «Nuk është e lejueshme t’i vëmë këto para në thesarin e tempullit, sepse janë para gjaku».

7. Atëherë vendosën të blinin me to arën e një poçari për ta bërë varrezë të huajsh.

8. Për këtë arsye ajo arë është quajtur deri më sot ‘Ara e Gjakut’.

9. Kështu u përmbush çfarë qe thënë nga profeti Jeremia: I morën tridhjetë monedhat e argjendta, çmimi që kishin dhënë bijtë e Izraelit,

10. dhe blenë me to arën e poçarit, siç më kishte urdhëruar Zoti.

Jezui para Pilatit

11. Jezui qëndronte para qeveritarit dhe ai e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?».Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».

12. Po kur e padisnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk jepte asnjë përgjigje.

13. Atëherë Pilati i tha: «A nuk dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?».

14. Por Jezui nuk iu përgjigj asnjë padie, gjë që e çuditi shumë qeveritarin.

Jezuin e dënojnë me vdekje

15. Për çdo festë Pashke qeveritari e kishte bërë zakon të lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës.

16. Në atë kohë kishin në burg një të burgosur shumë të njohur, që quhej Jezu Baraba.

17. Kur u mblodh turma, Pilati u tha: «Cilin doni t’ju liroj, Jezu Barabën, apo Jezuin që quhet Krisht?».

18. Sepse e dinte se Jezuin e kishin dorëzuar nga smira.

19. Ndërsa Pilati ishte ulur në fronin e gjykatësit, e shoqja i çoi fjalë: «Mos u ngatërro me atë njeri të drejtë, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij».

20. Por kryepriftërinjtë dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonin Barabën dhe të vrisnin Jezuin.

21. Qeveritari u tha përsëri: «Cilin nga të dy doni t’ju liroj?».Ata iu përgjigjën: «Barabën!».

22. Pilati i pyeti: «Atëherë çfarë të bëj me Jezuin që quhet Krisht?».Të gjithë i thanë: «Të kryqëzohet!».

23. Ai u tha: «Përse, ç’të keqe ka bërë?».Por ata thirrën edhe më fort: «Të kryqëzohet!».

24. Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, por përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duart para turmës dhe tha: «Unë nuk kam faj për gjakun e këtij njeriu. Është puna juaj!».

25. I gjithë populli u përgjigj: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!».

26. Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezuin, pasi e fshikulluan, e dorëzoi që ta kryqëzonin.

Ushtarët tallen me Jezuin

27. Atëherë ushtarët e qeveritarit e futën Jezuin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën.

28. Ia hoqën rrobat dhe e mbështollën me një mantel të kuq.

29. Pastaj thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Në dorë i dhanë një kallam dhe, duke rënë në gjunjë para tij, talleshin me të e i thoshin: «Të përshëndesim, o mbreti i judenjve!».

30. E pështynë, morën një kallam dhe e godisnin në kokë.

31. Pasi e tallën, ia hoqën mantelin, e veshën me rrobat e veta dhe e çuan për ta kryqëzuar.

Kryqëzimi i Jezuit

32. Kur dolën përjashta, ndeshën një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan të mbartte kryqin e Jezuit.

33. Kur arritën te një vend që quhet Golgota, që do të thotë ‘Vendi i Kafkës’,

34. i dhanë të pijë verë me një përzierje të hidhur, po kur e provoi, Jezui nuk deshi ta pijë.

35. Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij.

36. Pastaj u ulën dhe po e ruanin.

37. Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve».

38. Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

39. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën

40. e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë dhe zbrit nga kryqi!».

41. Edhe kryepriftërinjtë me skribët dhe pleqtë e tallnin dhe thoshin:

42. «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t’i besojmë.

43. Ky ka besuar në Perëndinë dhe ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do».

44. Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë.

Vdekja e Jezuit

45. Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën.

46. Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani?», që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?».

47. Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elian».

48. Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam dhe ia dha për ta pirë.

49. Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».

50. Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt.

51. Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë.

52. Edhe varret u hapën dhe shumë besimtarë që kishin vdekur u ngjallën

53. dhe pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumë njerëzve.

54. Centurioni dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Perëndisë».

55. Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galileja dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg.

56. Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.

Varrimi i Jezuit

57. Në mbrëmje erdhi një njeri i pasur nga Arimateja me emrin Jozef. Edhe ai kishte qenë dishepull i Jezuit.

58. Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhëroi që t’ia jepnin.

59. Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me një pëlhurë të pastër prej liri

60. dhe e vendosi në varrin e ri që kishte hapur për vete në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit dhe u largua.

61. Maria Magdalena dhe Maria tjetër po rrinin përballë varrit.

Rojat te varri

62. Të nesërmen ishte e shtunë. Kryepriftërinjtë dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati

63. dhe i thanë: «Zotëri, na kujtohet se ai mashtrues, kur ishte ende gjallë, ka thënë: “Pas tri ditësh do të ngjallem”.

64. Prandaj jep urdhër që të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij për ta vjedhur trupin e pastaj t’i thonë popullit: “U ngjall prej të vdekurve”. Kështu mashtrimi i fundit do të jetë më i madh se i pari».

65. Pilati u tha: «Merrni roja dhe shkoni e siguroni varrin sa më mirë».

66. Ata shkuan dhe pasi e vulosën gurin dhe vendosën roja, e siguruan varrin.