kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 5 Së Bashku (ALNT)

Predikimi në Mal

1. Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet.

2. Atëherë mori fjalën e filloi t’i mësonte kështu:

Lumnitë

3. «Lum të varfrit në shpirt,se e tyre do të jetë mbretëria e qiejve.

4. Lum ata që vajtojnë,se do të ngushëllohen.

5. Lum zemërbutët,se do të trashëgojnë tokën.

6. Lum të uriturit e të eturit për drejtësi,se do të ngopen.

7. Lum të mëshirshmit,se do të mëshirohen.

8. Lum të pastrit në shpirt,se do të shohin Perëndinë.

9. Lum paqebërësit,se do të quhen bij të Perëndisë.

10. Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë,se e tyre është mbretëria e qiejve.

11. Lum ju kur t’ju shajnë e t’ju përndjekin dhe me gënjeshtra të thonë të gjitha të këqijat kundër jush, për shkak se keni besuar në mua.

12. Gëzohuni dhe ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej. Kështu përndoqën edhe profetët përpara jush.»

Kripë dhe dritë

13. «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë atë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve.

14. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal.

15. Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi.

16. Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.»

Mësimi për ligjin e Moisiut

17. «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin e Moisiut apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t’i shfuqizuar, po për t’i përmbushur.

18. Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë ‘i’ dhe asnjë pikë mbi ‘i’ nuk do t’i hiqet ligjit të Moisiut para se të ndodhë gjithçka.

19. Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t’i zbatojë dhe do t’ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve.

20. Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.»

Zemërimi

21. «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: Mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq.

22. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23. Nëse kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje,

24. atëherë lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde.

25. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai të mos të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja dhe të përfundosh në burg.

26. Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit.»

Tradhtia bashkëshortore

27. «Keni dëgjuar se është thënë: Mos bëj tradhti bashkëshortore.

28. Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet.

29. Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në ferr.

30. Dhe nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje, sepse është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në ferr.»

Divorci

31. «Është thënë edhe: Kushdo që e ndan gruan, duhet t’i japë asaj letrën e ndarjes.

32. Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore.»

Betimi

33. «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: Mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit.

34. Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë,

35. as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh.

36. Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë.

37. Kur të flisni, thoni ‘po’ kur është ‘po’ dhe ‘jo’ kur është ‘jo’. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu.»

Shpagimi

38. «Keni dëgjuar se është thënë: Sy për sy e dhëmb për dhëmb.

39. Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.

40. Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.

41. Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje.

42. Jepi atij që të kërkon dhe mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua.»

Dashuria për armiqtë

43. «Keni dëgjuar se është thënë: Duaje tjetrin, por urreje armikun tënd.

44. Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin,

45. që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët.

46. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç’shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?

47. Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe paganët?

48. Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor.»