kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 19 Së Bashku (ALNT)

Mësimi për divorcin

1. Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galileja dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.

2. Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët.

3. Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?».

4. Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër?».

5. Dhe tha: «Për këtë arsye burri do ta lërë babanë dhe nënën e tij, për t’u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm.

6. Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!».

7. Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t’i jepet gruas letra e ndarjes dhe të lihet?».

8. Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.

9. Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore».

10. Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri».

11. Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t’i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata të cilëve u ka dhënë aftësinë Perëndia.

12. Ka eunukë që janë të tillë që nga lindja dhe ka eunukë që janë bërë të tillë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, le ta kuptojë».

Jezui bekon fëmijët

13. Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.

14. Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata».

15. Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej.

Djaloshi i pasur

16. Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç’të mirë duhet të bëj që të fitoj jetën e amshuar?».

17. Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet».

18. Ai i tha: «Cilat?».Jezui iu përgjigj: «Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,

19. ndero babanë e nënën dhe duaje tjetrin si veten!».

20. Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Çfarë më mungon ende?».

21. Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».

22. Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri.

23. Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve.

24. Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».

25. Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».

26. Por Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, po për Perëndinë gjithçka është e mundur».

27. Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç’do të bëhet?».

28. Jezui u tha:«Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

29. Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, babë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t’i marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetën e amshuar.

30. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët.»