kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Mateu 26 Së Bashku (ALNT)

Kurthi kundër Jezuit

1. Kur mbaroi së thëni këto fjalë, Jezui u tha dishepujve:

2. «Ju e dini se pas dy ditësh është Pashka dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u kryqëzuar».

3. Atëherë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e pallatit të kryepriftit që quhej Kajafa

4. dhe së bashku vendosën që ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin.

5. Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».

Jezuin e lyejnë me mirrë

6. Jezui gjendej në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit.

7. Ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua që mbante një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme dhe e derdhi mbi kokën e tij.

8. Kur e panë këtë gjë, dishepujt u zemëruan dhe thanë: «Përse u bë gjithë ky shpenzim?

9. Kjo mirrë mund të ishte shitur shtrenjtë dhe paratë t’u jepeshin të varfërve».

10. Por Jezui e kuptoi se çfarë po thoshin e u tha:«Përse e mundoni këtë grua? Ajo bëri për mua një vepër të mirë.

11. Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë.

12. Ajo e derdhi këtë mirrë mbi trupin tim dhe këtë e bëri për të më përgatitur për varrim.

13. Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».

Juda përgatit tradhtinë

14. Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë

15. dhe u tha: «Çfarë do të më jepni po t’jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi.

16. Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.

Përgatitja e darkës së Pashkës

17. Ditën e parë të Festës së Bukëve të Pambrujtura, dishepujt erdhën te Jezui dhe i thanë: «Ku dëshiron ta përgatisim darkën e Pashkës?».

18. Jezui u tha: «Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: “Mësuesi thotë se koha ime është afruar. Unë dhe dishepujt e mi do ta bëjmë Pashkën në shtëpinë tënde”».

19. Dishepujt bënë siç i kishte urdhëruar Jezui dhe përgatitën darkën e Pashkës.

20. Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët

21. dhe ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë».

22. Ata u trishtuan shumë dhe filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?».

23. Ai u përgjigj: «Ai që e ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë.

24. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur».

25. Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?».Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».

Darka e Zotit

26. Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve dhe tha: «Merrni, hani, ky është trupi im».

27. Mori edhe kupën dhe pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre dhe tha: «Pini të gjithë prej kësaj.

28. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve.

29. Unë po ju them se nuk do të pij më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pij të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim».

30. E si kënduan një himn, shkuan në Malin e Ullinjve.

Jezui parathotë mohimin e Pjetrit

31. Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë ju të gjithë do të humbisni besimin në mua, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Do të godas bariun dhe delet e tufës do të shpërndahen.

32. Po kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».

33. Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do ta humbasin besimin në ty, unë nuk do ta humbas kurrë».

34. Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë».

35. Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj».Kështu thanë të gjithë dishepujt.

Lutja në Gjetsemani

36. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani dhe u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t’u lutur».

37. Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim dhe ankth.

38. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua».

39. Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe dhe u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti».

40. Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë?

41. Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët».

42. Jezui shkoi për të dytën herë dhe u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!».

43. Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë.

44. Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë.

45. Pastaj erdhi te dishepujt dhe u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.

46. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».

Jezuin e tradhtojnë dhe e arrestojnë

47. Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit.

48. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!».

49. Dhe menjëherë iu afrua Jezuit dhe i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi.

50. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!».Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e arrestuan.

51. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin.

52. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën aty ku e kishe, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin.

53. A mendoni se nuk mund t’i lutem Atit tim që ai të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?

54. Por si do të përmbusheshin Shkrimet e shenjta, që thonë se duhet të ndodhë kështu?».

55. Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit dhe nuk më kapët.

56. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen ato që kanë shkruar profetët».Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën dhe ikën.

Jezui para sinedrit

57. Pastaj ata që e kishin arrestuar, e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.

58. Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë.

59. Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje,

60. por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta

61. dhe thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta ndërtoj për tri ditë”».

62. Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çfarë po dëshmojnë kundër teje?».

63. Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?».

64. Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them seqë tani e tutjedo ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Perëndisë të pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit».

65. Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç’na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë.

66. Çfarë mendoni?».Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen».

67. Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë dhe ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka

68. dhe i thoshin: «Gjeje kush të goditi, o Krisht?».

Pjetri mohon Jezuin

69. Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai dhe i tha: «Edhe ti ishe me Jezu galileasin».

70. Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Ti nuk di ç’po flet!».

71. Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër dhe u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit».

72. Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri».

73. Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Me siguri je një nga ata, sepse të tradhton e folura».

74. Pastaj Pjetri filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri».Atë çast këndoi gjeli

75. dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.