kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22

Dhjata e Re

Zbulesa 14 Së Bashku (ALNT)

Kënga e njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve

1. Pastaj pashë Qengjin që qëndronte mbi Malin e Sionit. Bashkë me të ishin edhe njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.

2. Atëherë dëgjova një zë nga qielli, që ngjante si ushtima e detrave dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe. Zëri që dëgjova ishte si tingulli që lëshon harpa kur i bien harpistët.

3. Para fronit dhe para katër gjallesave e pleqve këndonin një këngë të re. Askush nuk mund ta mësonte këngën, përveç njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka.

4. Këta janë ata që nuk u përlyen me gra, por mbetën të virgjër. Janë ata që shkojnë pas Qengjit, kudo ku ai shkon. Ata u shpërblyen prej njerëzve për të qenë frytet e para për Perëndinë dhe Qengjin.

5. Nga goja e tyre nuk ka dalë asnjë gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm.

Lajmi i tre engjëjve

6. Pastaj pashë një engjëll tjetër, që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte një ungjill të amshuar për t’u shpallur banorëve të tokës nga çdo komb, fis, gjuhë e popull.

7. Ai tha me zë të lartë: «Druajeni Perëndinë dhe jepini lavdi, se erdhi ora e gjykimit të tij. Adhurojeni atë që bëri qiellin e tokën, detin e burimet e ujërave!».

8. Një engjëll tjetër erdhi pas të parit dhe tha: «Ra, ra Babilonia e madhe, ajo që dehu gjithë kombet me verën e zemërimit të kurvërisë së saj».

9. Një engjëll i tretë erdhi pas tyre dhe tha me zë të lartë:«Kush adhuron bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe merr damkën në ballë e në dorë,

10. do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është e papërzier në kupën e zemërimit të tij. Ai do të mundohet me zjarr e squfur para engjëjve të shenjtë dhe para Qengjit.

11. Tymi i mundimit të tyre do të ngrihet në shekuj të shekujve dhe ata që adhurojnë bishën e shëmbëlltyrën e saj dhe kanë marrë damkën e emrit të saj, nuk do të gjejnë prehje as ditë, as natë.

12. Këtu do të duket durimi i besimtarëve të krishterë, i atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe ruajnë besimin e Jezuit».

13. Atëherë dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Shkruaj: Lum ata që do të vdesin të bashkuar me Zotin që tani e tutje».«Po, thotë Shpirti i Shenjtë. Ata do të prehen nga mundimet, sepse veprat e tyre do t’i shoqërojnë pas.»

Korrja e tokës

14. Pastaj pashë një re të bardhë, mbi të cilën ishte ulur dikush që ngjante si njeri. Në kokë kishte një kurorë të artë, ndërsa në dorë një drapër të mprehtë.

15. Nga tempulli doli një engjëll tjetër, që i thirri me zë të lartë atij që rrinte ulur mbi re: «Merre drapërin e korr, se erdhi koha e korrjes dhe të korrat e tokës janë pjekur».

16. Atëherë ai që rrinte ulur mbi fron e hodhi drapërin në tokë dhe toka u korr.

17. Nga tempulli që ishte në qiell doli edhe një engjëll tjetër. Edhe ai mbante një drapër të mprehtë.

18. Një engjëll tjetër doli nga altari. Ai kishte pushtet mbi zjarrin dhe i thirri me zë të lartë atij që kishte drapërin e mprehtë: «Merre drapërin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të tokës, se u poq rrushi».

19. Engjëlli e hodhi drapërin në tokë, voli vreshtin e tokës dhe rrushin e hodhi në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë.

20. Rrushi i vozës u shtrydh jashtë qytetit dhe prej saj doli gjak që arrinte deri te frerët e kuajve dhe u përhap deri në rreth treqind kilometra larg.