kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22

Dhjata e Re

Zbulesa 13 Së Bashku (ALNT)

Dy bishat

1. Pastaj pashë një bishë që doli nga deti. Bisha kishte dhjetë brirë dhe shtatë kokë. Mbi brirë kishte dhjetë kurora të vogla, ndërsa mbi koka kishte emra fyes.

2. Bisha që pashë ngjante me një leopard. Këmbët i kishte si të ariut, ndërsa gojën si të luanit. Dragoi i dha bishës fuqinë, fronin dhe pushtetin e tij të madh.

3. Njëra nga kokat e saj dukej si e plagosur për vdekje, por plaga vdekjeprurëse u shërua. Atëherë të gjithë njerëzit e tokës u mrekulluan pas bishës

4. dhe adhuruan dragoin që i kishte dhënë pushtetin bishës. Adhuruan edhe bishën e thanë: «Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?».

5. Bishës iu dha një gojë për të thënë fjalë të mëdha fyese dhe ky pushtet iu dha për dyzet e dy muaj.

6. Atëherë ajo hapi gojën për të fyer Perëndinë, emrin e tij, banesën e tij, si dhe të gjithë ata që banojnë në qiell.

7. Asaj iu dha pushteti të luftojë kundër besimtarëve të krishterë dhe t’i mundë ata. Iu dha pushteti edhe mbi çdo fis, popull, gjuhë e komb.

8. Bishën do ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, të cilët që nga krijimi i botës nuk e kanë emrin të shkruar në librin e jetës që i përket Qengjit të therur.

9. Kush ka veshë le të dëgjojë:

10. Kush është për t’u zënë rob,rob do të zihet.Kush është për t’u vrarë me shpatë,nga shpata do të vritet.Këtu do të duket durimi dhe besimi i besimtarëve të krishterë.

11. Pastaj pashë një bishë tjetër që doli nga toka. Bisha kishte dy brirë si brirë qengji dhe fliste si dragua.

12. Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë para syve të saj dhe detyronte tokën me gjithë banorët e saj të adhuronin bishën e parë, së cilës i qe shëruar plaga vdekjeprurëse.

13. Bisha tjetër bënte mrekulli të mëdha, sa edhe zjarrin e bënte të zbriste nga qielli në tokë në prani të njerëzve.

14. Ajo mashtronte banorët e tokës me mrekullitë për të cilat i ishte dhënë pushteti të bënte para syve të bishës së parë. Ajo u tha banorëve të tokës t’i bënin një shëmbëlltyrë bishës që jetonte ende, megjithëse ishte e plagosur nga shpata.

15. Asaj iu dha fuqi për t’i dhënë shpirt shëmbëlltyrës së bishës, që shëmbëlltyra të fliste dhe t’i bënte të vriteshin të gjithë ata që nuk e adhuronin.

16. Bisha i detyroi të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të lirë e skllevër, të merrnin një damkë në dorën e djathtë dhe në ballë.

17. Askush nuk mund të blinte apo të shiste pa pasur damkën me emrin e bishës apo me numrin e emrit të saj.

18. Këtu duhet urti! Kush ka mend, le ta përllogarisë numrin e bishës, sepse ai është numër njeriu. Numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.