kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22

Dhjata e Re

Zbulesa 8 Së Bashku (ALNT)

Vula e shtatë dhe temjanica e artë

1. Kur Qengji theu vulën e shtatë, në qiell u bë heshtje për rreth gjysmë ore.

2. Pastaj pashë shtatë engjëjt që qëndronin para Perëndisë. Atyre iu dhanë shtatë trumbeta.

3. Erdhi edhe një engjëll tjetër dhe qëndroi para altarit duke mbajtur një temjanicë të artë. Atij iu dha shumë temjan, që ta kushtonte bashkë me lutjet e gjithë besimtarëve të krishterë mbi altarin e artë që ndodhet përballë fronit.

4. Nga dora e engjëllit u ngjit drejt Perëndisë tymi i temjanit bashkë me lutjet e besimtarëve të krishterë.

5. Pastaj engjëlli mori temjanicën, e mbushi me zjarr nga altari dhe e hodhi mbi tokë. Atëherë shpërthyen bubullima, zëra, vetëtima dhe tërmete.

Trumbetat

6. Shtatë engjëjt, që mbanin shtatë trumbetat, i bënë gati për t’u rënë.

7. I ra trumbetës engjëlli i parë. Atëherë shpërtheu breshër e zjarr përzier me gjak dhe u lëshua mbi tokë. Një e treta e tokës u dogj bashkë me një të tretën e pemëve dhe me gjithë barin e gjelbër.

8. I ra trumbetës engjëlli i dytë. Atëherë diçka si shkëmb i madh që digjej zjarr u lëshua në det. Një e treta e detit u bë gjak,

9. një e treta e gjallesave të detit ngordhi dhe një e treta e anijeve u shkatërrua.

10. I ra trumbetës engjëlli i tretë. Atëherë një yll i madh që digjej si pishtar, ra nga qielli mbi një të tretën e lumenjve dhe mbi burimet e ujërave.

11. Emri i yllit ishte Pelin. Një e treta e ujërave u bë e hidhur si pelini dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat e hidhur.

12. I ra trumbetës engjëlli i katërt. Atëherë u godit një e treta e diellit, një e treta e hënës dhe një e treta e yjeve, që të errësohej një e treta e tyre. Kështu dita humbi një të tretën e ndriçimit, po ashtu edhe nata.

13. Pastaj pashë dhe dëgjova një shqiponjë që fluturonte në mes të qiellit duke thirrur me zë të lartë: «Mjerë! Mjerë! Mjerë banorët e tokës, kur të dëgjojnë tingullin e trumbetave të tjera, të cilave do t’u bien tre engjëjt!».