kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Re

Marku 8 Së Bashku (ALNT)

Jezui ushqen katër mijë veta

1. Ato ditë përsëri u mblodh një turmë e madhe dhe meqë nuk kishin ç’të hanin, Jezui i thirri pranë vetes dishepujt dhe u tha:

2. «Më dhimbset turma, sepse kanë tri ditë që rrinë me mua dhe nuk kanë asgjë për të ngrënë.

3. Nëse i nis në shtëpi të uritur, do të mbeten rrugës dhe disa prej tyre kanë ardhur nga larg».

4. Por dishepujt iu përgjigjën: «E si mund t’i ngopim me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?».

5. Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë».

6. Ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët, tha lutjen e falënderimit, i theu, ua dha dishepujve t’i shtronin dhe ata ia shtruan turmës.

7. Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, u tha dishepujve që t’i shtronin edhe këto.

8. Ata hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat e mbetura. U mbushën shtatë shporta.

9. Aty ishin gjithsej rreth katër mijë veta. Pastaj Jezui i shpërndau.

10. Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt dhe shkoi në krahinën e Dalmanutës.

Jezuit i kërkojnë një mrekulli

11. Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të diskutonin me të. Ata i kërkonin një mrekulli nga qielli për ta vënë në provë.

12. Jezui psherëtiu thellë e tha: «Përse kjo brezni kërkon një mrekulli? Me të vërtetë po ju them se kësaj breznie nuk do t’i jepet asnjë mrekulli».

13. Pastaj u largua prej tyre, hipi në varkë dhe kaloi në bregun tjetër.

Tharmi i farisenjve dhe i Herodit

14. Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë. Në varkë kishin vetëm një bukë.

15. Jezui i porositi: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve dhe nga tharmi i Herodit».

16. Por ata i thanë njëri-tjetrit: «Flet kështu sepse nuk kemi bukë me vete».

17. Jezui e dinte këtë gjë dhe u tha: «Çfarë po thoni? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni dhe nuk merrni vesh? A ju është ngurtësuar zemra?

18. Keni sy dhe nuk shikoni? Keni veshë dhe nuk dëgjoni? Nuk ju kujtohet vallë

19. kur theva pesë bukët për pesë mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?».Ata i thanë: «Dymbëdhjetë».

20. «Po kur theva shtatë bukët për katër mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?».Ata i thanë: «Shtatë».

21. Ai u tha: «Ende nuk kuptoni?».

Shërimi i një të verbri në Betsaidë

22. Pastaj arritën në Betsaidë, ku i sollën një të verbër dhe iu lutën që ta prekte.

23. Ai e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit, pështyu në sytë e tij dhe e pyeti: «A sheh gjë?».

24. Ai ngriti sytë e tha: «Shoh njerëzit që duken si pemë që ecin».

25. Jezui ia vuri përsëri duart mbi sy. I verbri filloi të shihte, u shërua e shikonte gjithçka qartë.

26. Jezui e dërgoi në shtëpi dhe i tha: «Mos hyr fare në fshat».

Pohimi i Pjetrit

27. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në fshatin e Cezaresë së Filipisë dhe, gjatë rrugës, i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se jam unë?».

28. Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia e të tjerë se je njëri nga profetët».

29. Dhe ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam unë?».Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti».

30. Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për të.

Jezui paralajmëron vdekjen dhe ngjalljen e tij

31. Ai filloi t’i mësonte se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët. Pastaj do ta vrisnin, por pas tri ditësh do të ngjallej.

32. Ai ua tha haptas këto fjalë.Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.

33. Por Jezui u kthye, pa nga dishepujt dhe e qortoi Pjetrin e i tha: «Largohu prej meje, Satan, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve».

34. Dhe thirri pranë vetes turmën bashkë me dishepujt e u tha:«Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.

35. Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim dhe të ungjillit, do ta shpëtojë atë.

36. Ç’dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet?

37. Çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet?

38. Nëse dikush ka turp për mua dhe për fjalët e mia para kësaj breznie të pafe dhe mëkatare, po ashtu do të ketë turp për ta edhe Biri i njeriut kur të vijë me engjëjt e shenjtë në lavdinë e Atit të tij».