kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Re

Marku 4 Së Bashku (ALNT)

Shëmbëlltyra e mbjellësit

1. Jezui filloi përsëri t’i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe ja një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit.

2. Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha:

3. «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë

4. dhe ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën.

5. Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhè. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë,

6. por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë.

7. Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt.

8. Fara të tjera ranë në tokë të mirë dhe ndërsa rriteshin dhe zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe një tjetër njëqindfish».

9. Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».

Qëllimi i shëmbëlltyrave

10. Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat.

11. Dhe ai u tha:«Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra,

12. që, megjithëse kanë sy për të parë, të mos shohin, megjithëse kanë veshë për të dëgjuar, të mos marrin vesh, përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia dhe ai do t’i falte».

Shpjegimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit

13. Jezui u tha:«A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t’i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?

14. Mbjellësi mbjell fjalën.

15. Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta.

16. Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë,

17. por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë dhe përndjekja për shkak të fjalës, largohen nga besimi.

18. Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën,

19. por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme.

20. Por ka edhe nga ata që janë mbjellë në tokë të mirë. Këta e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt tridhjetë, gjashtëdhjetë e njëqindfish».

Drita nën magje

21. Dhe u tha:«A mos ndizet kandili për ta vënë nën magje a nën shtrat? A nuk duhet vënë mbi mbajtësen e vet?

22. Sepse nuk ka asnjë sekret që s’do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s’do të dalë në dritë.

23. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë».

24. Pastaj u tha: «Kujdes çfarë dëgjoni! Me masën që do të matni të tjerët, do të mateni edhe ju nga Perëndia, madje edhe më shumë.

25. Atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë. Atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka».

Shëmbëlltyra e farës që rritet

26. Dhe tha:«Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë.

27. Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin dhe rritet pa e ditur as ai sesi.

28. Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra.

29. Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave».

Shëmbëlltyra e farës së sinapit

30. Pastaj tha:«Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë?

31. Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka,

32. por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet dhe nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj».

Dobia e shëmbëlltyrave

33. Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin.

34. Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, po kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet.

Jezui fashit stuhinë

35. Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër».

36. Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me ta ishin edhe disa varka të tjera.

37. Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë.

38. Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan dhe i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?».

39. Jezui u ngrit, qortoi erën dhe i tha liqenit: «Hesht! Fashitu!». Era pushoi dhe u bë bunacë e madhe.

40. Pastaj u tha: «Përse keni frikë? Ende nuk keni besim?».

41. Atëherë ata i zuri një frikë e madhe dhe i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që i binden edhe era, edhe liqeni?».