kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21

Dhjata e Re

Gjoni 3 Së Bashku (ALNT)

Jezui dhe Nikodemi

1. Midis farisenjve ishte një njeri që quhej Nikodem. Ky ishte njëri nga krerët e judenjve.

2. Ai shkoi natën te Jezui dhe i tha: «Mësues, e dimë se vjen nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë mrekullitë që bën ti, nëse Perëndia nuk është me të».

3. Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lindet përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë».

4. Nikodemi i tha: «Si mund të lindet përsëri një njeri kur është i thyer në moshë? A mund të hyjë për së dyti në barkun e nënës dhe të lindet përsëri?».

5. Jezui u përgjigj:«Me të vërtetë po të them se ai që nuk lind nga uji dhe nga Shpirti i Shenjtë, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

6. Ajo që ka lindur nga njeriu është njerëzore, ajo që ka lindur nga Shpirti i Shenjtë është shpirt.

7. Mos u çudit se të thashë: “Duhet të lindeni përsëri.”

8. Era fryn ku të dojë; ushtimën ia dëgjon, por nuk e di nga vjen e ku shkon. Kështu janë edhe ata që linden nga Shpirti i Shenjtë».

9. Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?».

10. Jezui u përgjigj:«Ti je mësues i Izraelit dhe nuk i kupton këto gjëra?

11. Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë.

12. Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t’ju flas për gjërat qiellore?

13. Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit.

14. Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut,

15. që kushdo që beson në të, të ketë jetën e amshuar.

16. Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar.

17. Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij.

18. Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

19. Gjykimi është ky: Drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, sepse veprat e tyre ishin të liga.

20. Kush bën gjëra të këqija e urren dritën dhe nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij.

21. Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë».

Jezui dhe Gjon Pagëzori

22. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në krahinën e Judesë. Atje qëndroi për pak kohë me ta dhe pagëzonte.

23. Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse atje kishte shumë ujë dhe njerëzit shkonin tek ai dhe pagëzoheshin.

24. Në atë kohë Gjoni nuk ishte burgosur ende.

25. Atëherë, dishepujt e Gjonit filluan të diskutonin me një jude rreth ritit të pastrimit.

26. Ata shkuan te Gjoni dhe i thanë: «Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja, po pagëzon dhe të gjithë po shkojnë tek ai».

27. Gjoni u përgjigj:«Askush nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë prej qiellit.

28. Vetë ju keni qenë dëshmitarë kur thashë: “Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij.”

29. Ai që ka nusen është dhëndri, ndërsa miku i dhëndrit që rri dhe e dëgjon, ngazëllehet nga zëri i dhëndrit. Ky pra është gëzimi im dhe tani është bërë i plotë.

30. Krishti duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem.»

Ai që vjen nga lart

31. «Ai që vjen nga lart është mbi të gjithë, ndërsa ai që vjen nga toka është prej tokës dhe flet për gjërat e saj. Ai që vjen nga qielli është mbi të gjithë

32. dhe dëshmon për atë që ka parë e ka dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij.

33. Kush pranon dëshminë e tij, pohon se Perëndia është i vërtetë.

34. Ai që ka dërguar Perëndia, flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia ia jep Shpirtin e Shenjtë pa masë.

35. Ati e do Birin dhe i ka lënë gjithçka në dorë.

36. Kush beson në Birin, ka jetën e amshuar, ndërsa kush nuk i bindet Birit, nuk do ta shohë jetën, por mbetet nën zemërimin e Perëndisë».