kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21

Dhjata e Re

Gjoni 10 Së Bashku (ALNT)

Bariu i mirë

1. «Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës dhe kusar.

2. Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve.

3. Rojtari i hap atij derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër dhe u prin përjashta.

4. Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin.

5. Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin».

6. Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli.

Jezui është bariu i mirë

7. Jezui u tha përsëri:«Me të vërtetë po ju them: Unë jam dera e deleve.

8. Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës dhe kusarë, por delet nuk i dëgjuan.

9. Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullotë.

10. Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë dhe ta kenë të plotë.

11. Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet.

12. Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari dhe nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet dhe ikën. Ujku i rrëmben ato dhe i shpërndan,

13. sepse rrogëtari është rrogëtar dhe nuk shqetësohet për delet.

14. Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,

15. ashtu si Ati më njeh mua edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet.

16. Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t’i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari.

17. Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri.

18. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im».

19. Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve.

20. Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?».

21. Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?».

Judenjtë nuk e pranojnë Jezuin

22. Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër.

23. Jezui po ecte në tempull në portikun e Solomonit.

24. Atëherë judenjtë e rrethuan dhe i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur».

25. Jezui u përgjigj:«Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua,

26. por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia.

27. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin pas.

28. Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.

29. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij.

30. Unë dhe Ati jemi një».

31. Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë.

32. Jezui iu përgjigj: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?».

33. Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, po për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi».

34. Jezui u përgjigj:«A nuk është shkruar në ligjin tuaj: Unë thashë: Jeni perëndi.

35. Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi i shenjtë nuk mund të hidhet poshtë.

36. Atëherë, si mund t’i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë: “Fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë: “Jam Biri i Perëndisë”?

37. Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,

38. por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni dhe të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin».

39. Përsëri donin ta kapnin, por ai u iku nga duart.

40. Jezui shkoi sërish në bregun tjetër të Jordanit, në vendin ku më parë pagëzonte Gjoni dhe qëndroi atje.

41. Shumë njerëz shkuan tek ai dhe thoshin: «Gjoni nuk bëri asnjë mrekulli, por gjithçka që tha për të është e vërtetë».

42. Dhe atje shumë njerëz besuan në të.