kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21

Dhjata e Re

Gjoni 12 Së Bashku (ALNT)

Jezuin e lyejnë me mirrë

1. Gjashtë ditë përpara Pashkës, Jezui shkoi në Betani, ku jetonte Lazari, të cilin e kishte ngjallur prej të vdekurve.

2. Atje i shtruan darkën. Marta u shërbente, ndërsa Lazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Jezuin.

3. Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë dhe ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës.

4. Atëherë, Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha:

5. «Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë dhe t’u jepeshin të varfërve?».

6. Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave dhe merrte prej saj çfarë hidhej në të.

7. Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim!

8. Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë».

Komploti kundër Lazarit

9. Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje dhe shkuan jo vetëm për të, por edhe që të shikonin Lazarin, që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve.

10. Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin,

11. sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij dhe besonin në Jezuin.

Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem

12. Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem,

13. mori degë palmash dhe i doli para duke thirrur:«Hosana! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit,mbreti i Izraelit!».

14. Jezui gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar në Shkrimin e shenjtë:

15. Mos ki frikë, o bijë e Sionit! Ja, mbreti yt po vjen hipur mbi një kërriç!

16. Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, po kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, ashtu siç thoshte Shkrimi i shenjtë.

17. Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të.

18. Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar se kishte bërë këtë mrekulli.

19. Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç’bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!».

Disa grekë kërkojnë Jezuin

20. Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa grekë.

21. Ata shkuan te Filipi që ishte nga Betsaida e Galilesë dhe iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin».

22. Filipi shkoi dhe i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan dhe i thanë Jezuit.

23. Jezui u përgjigj:«Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut!

24. Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt.

25. Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar.

26. Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë.»

Biri i njeriut duhet të kryqëzohet

27. «Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë.

28. O Atë, përlëvdoje emrin tënd!».Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar dhe përsëri do ta përlëvdoj».

29. Turma që rrinte dhe dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll».

30. Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, po për ju.

31. Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote!

32. Kur unë të lartësohem nga toka, do t’i tërheq të gjithë pranë vetes».

33. Këtë e tha për të treguar me ç’vdekje do të vdiste.

34. Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji i Moisiut se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?».

35. Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon.

36. Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës».Pasi tha këto, Jezui iku dhe u fsheh prej tyre.

Mosbesimi i judenjve

37. Megjithëse kishte bërë kaq mrekulli para syve të tyre, ata nuk besonin në të,

38. që të përmbushej fjala e profetit Isaia që ka thënë: Zot, kush i besoi lajmit tonë? Kujt iu zbulua fuqia e Zotit?

39. Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe:

40. I verboi sytë e tyre dhe i ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos shohin me sy, apo të kuptojnë me zemër që të mos kthehen tek unë për t’i shëruar.

41. Këto tha Isaia sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të.

42. Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat.

43. Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë.

Kush na gjykon?

44. Jezui tha me zë të lartë:«Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi.

45. Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi.

46. Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë.

47. Nëse dikush dëgjon fjalët e mia, por nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj sepse nuk kam ardhur për ta gjykuar botën, po për ta shpëtuar atë.

48. Atë që më hedh poshtë mua dhe nuk pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit.

49. Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më urdhëroi ç’të them e ç’të flas.

50. Unë e di se urdhërimi i tij është jetë e amshuar. Ato që them, unë i them siç m’i tha Ati».