kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6

Dhjata e Re

Efesianëve 3 Së Bashku (ALNT)

Shërbesa e Palit ndaj kombeve pagane

1. Për këtë arsye unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezu për ju paganët, i lutem Perëndisë.

2. Me siguri ju keni dëgjuar për hirin që më ka dhënë Perëndia për t’ju shërbyer juve

3. dhe për planin e tij të fshehtë që ma ka bërë të njohur me anë të një zbulese. Për këtë ju kam shkruar shkurtimisht edhe më parë.

4. Kur t’i lexoni ato që ju shkrova do të mund të kuptoni sesa thellë e njoh të fshehtën për Krishtin,

5. që nuk iu bë e njohur njerëzve të breznive të shkuara. Por tani Perëndia përmes Shpirtit të Shenjtë, ia zbuloi këtë mister apostujve dhe profetëve të tij të shenjtë.

6. Sipas këtij misteri, kombet pagane përmes ungjillit, do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me hebrenjtë, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Perëndisë përmes Krishtit Jezu.

7. Unë u bëra shërbëtor i këtij ungjilli falë hirit që m’u dhurua nga Perëndia dhe që m’u dha falë veprimit të fuqisë së tij.

8. Mua, më të voglit nga të gjithë besimtarët e krishterë, m’u dha ky hir për t’u predikuar kombeve pagane pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit

9. dhe për të nxjerrë në dritë sesi Perëndia që krijoi gjithçka do të vinte në jetë planin e tij, që e kishte mbajtur të fshehur prej shekujsh.

10. Kështu tani, nëpërmjet kishës, sundimtarëve dhe autoriteteve në vendet qiellore u bëhet e njohur urtia e shumëfishtë e Perëndisë.

11. Këtë Perëndia e bëri sipas qëllimit të tij të amshuar, që ai e përmbushi përmes Krishtit Jezu, Zotit tonë.

12. Të bashkuar me Krishtin dhe përmes besimit në të, mund t’i afrohemi Perëndisë me liri dhe siguri të plotë.

13. Prandaj ju lutem që të mos dëshpëroheni prej vuajtjeve që po kaloj për ju, përkundrazi ta keni për nder.

Njohja e dashurisë së Krishtit

14. Prandaj unë bie në gjunjë para Atit,

15. prej të cilit merr jetë çdo krijesë në qiej e në tokë.

16. Perëndia ju dhëntë, sipas pasurive të lavdisë së tij dhe përmes Shpirtit të Shenjtë, ju bëftë më të fortë shpirtërisht.

17. Krishti banoftë në zemrat tuaja përmes besimit, në mënyrë që të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri,

18. të mund të kuptoni bashkë me të gjithë besimtarët e krishterë se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia

19. e dashurisë së Krishtit. Lutem që të njihni dashurinë e Krishtit e cila tejkalon çdo dije, që të mbusheni me gjithë plotësinë e Perëndisë.

20. Perëndisë, që mund të bëjë shumë më tepër sesa gjithçka që i kërkojmë ose mendojmë, falë fuqisë që vepron në ne,

21. atij i qoftë lavdia përmes kishës dhe përmes Krishtit Jezu për të gjitha breznitë në shekuj të shekujve! Amen!