kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6

Dhjata e Re

Efesianëve 6 Së Bashku (ALNT)

Fëmijët dhe prindërit

1. Ju fëmijë, bindjuni prindërve tuaj për hir të Zotit, sepse kjo është e drejtë.

2. Ndero babanë tënd dhe nënën tënde, ky është urdhërimi i parë që shoqërohet me premtim:

3. që të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhè.

4. Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por rritini me disiplinën dhe me këshillat që vijnë nga Zoti.

Skllevërit dhe zotërinjtë

5. Ju shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj tokësorë me nderim e frikë dhe me zemër të sinqertë, sikurse Krishtit,

6. jo sa për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, që bëjnë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt.

7. Shërbeni me dashamirësi si t’i shërbenit Zotit dhe njerëzve,

8. duke e ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav a i lirë, do të marrë shpërblimin prej Zotit.

9. Edhe ju, zotërinj, silluni po ashtu me ta dhe hiqni dorë nga kërcënimet, duke e ditur se edhe ju, edhe skllevërit tuaj, keni të njëjtin Zot i cili nuk mban anën e askujt.

Lufta kundër së keqes

10. Së fundi, forcohuni nga Zoti dhe nga fuqia e pushtetit të tij.

11. Ngjishni gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni të fortë kundër dredhive të djallit.

12. Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër autoriteteve, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në vendet qiellore.

13. Prandaj merrni gjithë armët e Perëndisë, që të mund t’i bëni ballë ditës së ligë dhe të qëndroni të fortë pasi të keni luftuar deri në fund.

14. Qëndroni, pra, të fortë, me ijët ngjeshur me të vërtetën dhe vishni drejtësinë si parzmore.

15. Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes.

16. Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17. Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit të Shenjtë, që është fjala e Perëndisë.

18. Lutuni në çdo kohë dhe ia drejtoni kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë. Prandaj rrini zgjuar dhe këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë besimtarët e krishterë.

19. Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit.

20. Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur.

Përshëndetjet e fundit

21. Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t’ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh se si jam dhe çfarë po bëj.

22. Po e dërgoj te ju, që të dini se si jemi dhe që t’u japë ngushëllim zemrave tuaja.

23. Perëndia Atë dhe Zoti Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri dhe besim.

24. Hiri qoftë me të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezu Krisht me dashuri të pavdekshme.