kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6

Dhjata e Re

Efesianëve 1 Së Bashku (ALNT)

Përshëndetje

1. Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë po ju shkruaj vëllezërve të krishterë që janë në Efes dhe që besojnë në Krishtin Jezu:

2. Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!

Bekimet shpirtërore

3. Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht! Ai na ka bekuar përmes Krishtit duke na dhënë çdo bekim shpirtëror dhe qiellor.

4. Perëndia na zgjodhi përpara themelimit të botës, përmes Krishtit, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë para tij. Në dashurinë e tij,

5. Perëndia na paracaktoi për të na birësuar përmes Jezu Krishtit, me pëlqimin e vullnetin e tij,

6. që ne ta përlëvdojmë për hirin e tij të lavdishëm, që na e dhuroi përmes Birit të tij të dashur.

7. Perëndia na shpengoi përmes gjakut të Birit të tij dhe na i fali paudhësitë përmes hirit të tij të begatë.

8. Këtë hir ai na e dha me tepri, bashkë me çdo urti e mençuri.

9. Ai na bëri të njohur planin e fshehtë të vullnetit të vet, që me pëlqimin e tij kishte vendosur që më parë ta kryente përmes Krishtit.

10. Këtë plan ai do ta përmbushte në kohën e caktuar, për t’i vënë të gjitha gjërat nën autoritetin e Krishtit, si ato që janë në qiej, ashtu edhe ato që janë në tokë.

11. Të bashkuar me Krishtin, ne u zgjodhëm edhe për t’u bërë trashëgimtarë të Perëndisë, sepse ishim paracaktuar sipas vendimit të tij. Ai të gjitha gjërat i bën sipas qëllimit të vullnetit të vet,

12. në mënyrë që ne që kemi shpresuar në Krishtin, të jemi ata që do të përlëvdojmë lavdinë e tij.

13. Kur u bashkuat me Krishtin, ju dëgjuat edhe fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj. Ju besuat në të dhe Perëndia ju vulosi me Shpirtin e Shenjtë që kishte premtuar.

14. Ky Shpirt, është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, në mënyrë që të përlëvdojmë lavdinë e tij.

Lutja e Palit

15. Prandaj edhe unë, që kur dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë besimtarët e krishterë,

16. nuk pushoj së falënderuari Perëndinë për ju, duke ju përmendur në lutjet e mia.

17. Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, ju dhëntë Shpirtin e urtisë, që do t’ju zbulojë si ta njihni plotësisht atë.

18. Ai ju ndriçoftë sytë e zemrave tuaja, që të njihni se cila është shpresa për të cilën ju thirri, sesa e pasur dhe e lavdishme është trashëgimia e tij për besimtarët e krishterë

19. dhe sesa madhështore dhe e pashoqe është fuqia e tij ndaj nesh që besojmë në të. Kjo fuqi është e njëjta forcë vepruese e pushtetit të Perëndisë,

20. me të cilën ai ngjalli Krishtin prej të vdekurve dhe e uli në të djathtë të fronit të tij në qiej,

21. duke e vënë përmbi çdo sundim e autoritet, përmbi çdo fuqi e zotërim dhe mbi çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme.

22. Perëndia e nënshtroi gjithçka nën këmbët e Krishtit dhe e bëri atë kreun e kishës, përmbi çdo gjë.

23. Kisha është trupi i Krishtit, është plotësia e atij që me praninë e tij bën gjithçka të plotë.