kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6

Dhjata e Re

Efesianëve 5 Së Bashku (ALNT)

1. Kështu pra, ndiqni shembullin e Perëndisë, sepse jeni bijtë e tij të dashur.

2. Jetoni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten për ne, si kushtim e fli erëmirë për Perëndinë.

3. Por kurvëria e çdo ndyrësi ose lakmi as të mos përmenden ndër ju, sepse kështu u ka hije besimtarëve të krishterë.

4. As nuk duhet të thoni fjalë të ndyta, të marra e të pështira, që nuk ju kanë hije, por, përkundrazi, thoni fjalë që falënderojnë Perëndinë.

5. Ta dini mirë: asnjë kurvar, asnjë i fëlligësht e asnjë lakmitar, gjëra të cilat janë idhujtari, nuk do të ketë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.

Jetoni si bij të dritës

6. Askush të mos ju mashtrojë me fjalë të zbrazëta, sepse për shkak të këtyre gjërave vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.

7. Prandaj mos kini asgjë të përbashkët me ta.

8. Dikur ishit në errësirë, ndërsa tani që besoni në Zotin jeni në dritë. Jetoni, pra, si bij të dritës,

9. sepse fryti i dritës është mirësia, drejtësia dhe e vërteta.

10. Përpiquni të kuptoni se çfarë është e pëlqyeshme për Zotin.

11. Mos merrni pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por, përkundrazi, paditini.

12. Gjërat që ata bëjnë në fshehtësi është turp edhe të zihen në gojë,

13. po kur ato të dalin në dritë, bëhen të dukshme.

14. Çdo gjë që bëhet e dukshme, bëhet dritë. Prandaj thuhet:Zgjohu, o ti që fle!Ngrihu prej të vdekurvedhe Krishti do të shndritë mbi ty.

15. Prandaj kini kujdes si jetoni. Mos jetoni si të marrë, por jetoni si të mençur.

16. Përdoreni mirë kohën, sepse po jetojmë ditë të këqija.

17. Mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit.

18. Mos u dehni me verë, në të cilën gjendet shthurja, por mbushuni me Shpirtin e Shenjtë,

19. duke kënduar mes jush psalme, himne dhe këngë shpirtërore, duke kënduar e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,

20. duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht.

Bashkëshortet dhe bashkëshortët

21. Nënshtrojuni njëri-tjetrit, për shkak të druajtjes që keni ndaj Krishtit.

22. Gratë t’u nënshtrohen burrave të tyre sikurse Zotit,

23. sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës dhe është shpëtimtar i trupit, domethënë i kishës.

24. Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t’u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka.

25. Burrat t’i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të,

26. me qëllim që ta shenjtërojë duke e pastruar me larjen e ujit dhe me anë të fjalës,

27. që ta paraqesë kishën të lavdishme para vetes, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por të shenjtë dhe të patëmetë.

28. Kështu edhe burrat duhet t’i duan gratë e veta, ashtu siç duan trupat e tyre. Kush e do gruan e vet, do veten.

29. Askush nuk e ka urryer ndonjëherë trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, ashtu siç kujdeset edhe Krishti për kishën,

30. sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij.

31. Shkrimi i shenjtë thotë: Për këtë arsye njeriu do të lërë babanë e nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një trup i vetëm.

32. Kjo e fshehtë është e madhe. Por këtë po e them në lidhje me Krishtin dhe kishën.

33. Megjithatë edhe secili prej jush le ta dojë gruan e vet siç do veten. Po ashtu edhe gruaja ta nderojë burrin e saj.