kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Veprat 25 Së Bashku (ALNT)

Pali kërkon të gjykohet prej Cezarit

1. Tri ditë pasi kishte arritur në provincë, Festi shkoi nga Cezarea në Jerusalem.

2. Aty kryepriftërinjtë dhe krerët e judenjve i paraqitën padinë kundër Palit. Ata iu lutën

3. dhe i kërkuan si nder që ta dërgonte Palin në Jerusalem. Ndërkohë kishin përgatitur një pritë për ta vrarë rrugës.

4. Festi u përgjigj se Pali ruhej në Cezare dhe se ai vetë do të shkonte së shpejti atje.

5. Ai u tha: «Atëherë, krerët tuaj le të vijnë me mua dhe, nëse ai njeri ka bërë ndonjë faj, le të ngrenë padi kundër tij».

6. Pasi ndenji mes tyre jo më shumë se tetë apo dhjetë ditë, Festi shkoi në Cezare. Të nesërmen u ul në fronin e gjykatësit dhe urdhëroi të sillnin Palin.

7. Kur arriti Pali, atë e rrethuan judenjtë që kishin ardhur nga Jerusalemi dhe bënë shumë padi të rënda kundër tij, por që nuk mund t’i vërtetonin.

8. Pali u mbrojt kështu: «Unë nuk kam bërë mëkat as kundër ligjit të judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit».

9. Por Festi, meqë donte t’u bënte nder judenjve, e pyeti Palin: «A dëshiron të shkosh në Jerusalem dhe të gjykohesh atje para meje për këto padi?».

10. Pali i tha: «Unë jam para gjykatës së Cezarit dhe këtu duhet të gjykohem. Judenjve nuk u kam bërë asnjë padrejtësi dhe ti e di shumë mirë këtë.

11. Nëse jam në faj dhe nëse kam bërë diçka që meriton vdekjen, jam gati të vdes. Por, nëse nuk qëndron asnjë nga gjërat për të cilat më kanë paditur, askush nuk mund të më dorëzojë tek ata. Unë kërkoj që të gjykohem prej Cezarit».

12. Atëherë Festi, pasi foli me këshillin e vet, iu përgjigj: «Kërkove të gjykohesh prej Cezarit, te Cezari do të shkosh».

Pali para mbretit Agripa

13. Pasi kaluan disa ditë, mbreti Agripa e Bernika arritën në Cezare për të përshëndetur Festin.

14. Meqë ata po rrinin aty disa ditë, Festi i paraqiti mbretit rastin e Palit dhe i tha:«Këtu është një njeri që e ka lënë Feliksi në burg.

15. Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e judenjve më paraqitën paditë kundër tij dhe më kërkuan ta dënoj.

16. Unë u thashë se nuk është zakon i romakëve që ta dënojnë dikë, nëse i padituri nuk takohet me paditësit ballë për ballë dhe nëse nuk i jepet mundësia të mbrohet kundër padisë.

17. Ata që kishin ngritur padinë erdhën këtu bashkë me mua dhe unë, pa humbur kohë, u ula të nesërmen në fronin e gjykatësit dhe urdhërova që të ma sillnin atë njeri.

18. Paditësit dolën para meje, por nuk ngritën kundër tij asnjë padi nga ato që prisja unë.

19. Të dyja palët kundërshtonin njëra-tjetrën në lidhje me disa çështje të fesë së tyre dhe me një farë Jezui që ka vdekur, por që Pali thotë se është gjallë.

20. Meqë nuk dija si ta hetoja këtë çështje, e pyeta nëse dëshironte të shkonte në Jerusalem e të gjykohej atje për këto gjëra,

21. por Pali kërkoi që të mbahej i burgosur, derisa çështja t’i kalonte për gjykim Lartmadhërisë së tij. Prandaj urdhërova që ta ruanin derisa të mund ta dërgoj te Cezari».

22. Agripa i tha Festit: «Dëshiroj ta dëgjoj edhe unë vetë këtë njeri».Festi i tha: «Nesër do ta dëgjosh».

23. Të nesërmen Agripa dhe Bernika erdhën me shumë madhështi. Ata hynë në sallë me komandantët e kohortave dhe me burrat e rëndësishëm të qytetit. Atëherë Festi dha urdhër që të sillnin Palin.

24. Festi tha:«O mbret Agripë dhe të gjithë ju që jeni këtu me ne, ky është njeriu për të cilin mbarë populli i Judesë më është drejtuar mua, edhe në Jerusalem, edhe këtu, me kërkesën që ky të mos jetojë më.

25. Por unë nuk gjeta tek ai asnjë faj që të meritojë vdekjen dhe meqenëse ai kërkoi të gjykohej para Lartmadhërisë së tij, vendosa që ta dërgoj atje.

26. Nuk kam asgjë të saktë që t’i shkruaj tim zoti për të. Për këtë arsye e solla para të gjithëve ju, veçanërisht para teje, o mbret Agripë, që, pasi ta kemi marrë në pyetje, të kem ç’ti shkruaj.

27. Sepse më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur pa shënuar edhe paditë që ngrihen kundër tij».