kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Veprat 13 Së Bashku (ALNT)

Zgjedhja e Barnabës dhe Saulit

1. Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod tetrarkut dhe Sauli.

2. Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i Shenjtë tha: «M’i ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur».

3. Pastaj, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.

Predikimi në Qipro

4. Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i Shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro.

5. Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte.

6. Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan një farë magjistari, një profet të rremë jude me emrin Barjezu.

7. Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë.

8. Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre dhe u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi.

9. Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, ia nguli sytë

10. dhe i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit?

11. Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për një farë kohe».Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore.

12. Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit.

Pali e Barnaba në Antiokinë e Pisidisë

13. Ata që ishin me Palin lundruan nga Pafosi dhe arritën në Pergë të Pamfilisë, ndërsa Gjoni u nda prej tyre dhe u kthye në Jerusalem.

14. Ata nga Perga vazhduan rrugën e shkuan në Antioki të Pisidisë. Një të shtunë hynë në sinagogë e u ulën.

15. Pas leximit të ligjit të Moisiut e të profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që t’u thoshte: «Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për të këshilluar popullin, thojeni».

16. Atëherë Pali u ngrit, bëri shenjë me dorë e tha:«Burra izraelitë e ju që druani Perëndinë, dëgjoni:

17. Perëndia i popullit të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e bëri të madh popullin tonë kur ishte në Egjipt. Ai i nxori që andej me krahun e tij të fuqishëm

18. dhe i duroi për rreth dyzet vjet në shkretëtirë.

19. Pasi shkatërroi shtatë popuj në tokën e Kanaanit, ua dha atyre tokën si trashëgimi

20. për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel.

21. Pastaj ata kërkuan të kishin një mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, burrë nga fisi i Beniaminit, që mbretëroi për dyzet vjet.

22. Pasi e hoqi atë, u dha për mbret Davidin për të cilin dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do t’i plotësojë tërë dëshirat e mia.”

23. Perëndia, sikurse kishte premtuar, i solli Izraelit nga pasardhësit e këtij njeriu një shpëtimtar, Jezuin.

24. Përpara se të vinte Jezui, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit të pendohej e të pagëzohej.

25. Kur ishte në fund të shtegtimit të tij, Gjoni tha: “Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam ai që prisni, por ai po vjen pas meje dhe unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh sandalet.”

26. Vëllezër, pasardhës të Abrahamit e ju të tjerë që druani Perëndinë, lajmi i këtij shpëtimi na është dërguar neve.

27. Banorët e Jerusalemit e krerët e tyre nuk e njohën Jezuin dhe as nuk i kuptuan fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Ata i përmbushën fjalët e kësaj profecie duke e dënuar atë.

28. Edhe pse nuk gjetën shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit ta vriste.

29. Pasi përmbushën gjithçka që ishte shkruar për të, e zbritën nga druri i kryqit dhe e vunë në varr.

30. Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve

31. e për shumë ditë Jezui iu shfaq atyre që shkuan me të nga Galileja në Jerusalem. Tani ata janë dëshmitarët e tij para popullit.

32. Ne po ju shpallim ungjillin, lajmin e mirë, se atë që u kishte premtuar etërve tanë,

33. Perëndia e përmbushi për ne që jemi bijtë e tyre me ngjalljen e Jezuit. Edhe në psalmin e dytë shkruhet: Ti je Biri im, të kam lindur sot.

34. Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, që ai të mos kthehej më në kalbje dhe për këtë ka thënë:Unë do t’ju jap juve premtimet e shenjta që i dhashë Davidit.

35. Prandaj në një psalm tjetër ka thënë: Nuk do të lejosh që i shenjti yt të shohë kalbjen.

36. Davidi, në kohën e tij, i shërbeu planit të Perëndisë dhe vdiq e u varros pranë etërve të vet dhe u kalb.

37. Por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk u kalb.

38. Prandaj, dijeni mirë, o vëllezër, se përmes këtij njeriu juve ju shpallet falja e të gjitha mëkateve, prej të cilave nuk mund të bëheshit të drejtë sipas ligjit të Moisiut.

39. Përmes Jezuit bëhen të drejtë të gjithë ata që besojnë.

40. Ruhuni, pra, që të mos ju ndodhë juve ajo që thanë profetët:

41. Shikoni o përbuzës, mrekullohuni e zhdukuni sepse unë do të bëj një vepër të tillë në ditët tuaja,vepër që nuk do ta besonit kurrë, edhe po t’ua thoshte dikush».

42. Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që t’u flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër.

43. Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë.

44. Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit.

45. Po kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali.

46. Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim:«Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t’ju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do t’u drejtohemi kombeve pagane.

47. Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu: Të kam caktuar të jesh dritë për kombet që të çosh shpëtimin deri në skajet e dheut».

48. Kur e dëgjuan këtë, paganët u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin.

49. Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë.

50. Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre.

51. Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon.

52. Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e Shenjtë.