kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Veprat 12 Së Bashku (ALNT)

Vrasja e Jakobit dhe burgimi i Pjetrit

1. Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave.

2. Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë.

3. Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të Pambrujtura.

4. Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit.

5. Kur Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të.

Çlirimi i Pjetrit nga burgu

6. Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun.

7. Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë dhe i tha: «Ngrihu shpejt!».Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart.

8. Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Mbështillu me mantel dhe më ndiq».

9. Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim.

10. Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë.

11. Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndërmend të bënin me mua».

12. Kur e kuptoi këtë gjë, shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, që e quanin edhe Mark. Aty ishin mbledhur shumë veta e po luteshin.

13. Ai trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore me emrin Rodë erdhi të hapte derën.

14. Kur dëgjoi zërin e Pjetrit, ajo u gëzua aq shumë, saqë në vend që të hapte derën, shkoi me vrap brenda dhe lajmëroi se Pjetri ishte te dera.

15. Ata i thanë: «Ti nuk je në vete». Por ajo nguli këmbë se ishte e vërtetë. Ata i thanë: «Është engjëlli i tij».

16. Ndërsa Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën derën, ata e panë dhe mbetën të mahnitur.

17. Ai ua bëri me dorë që të mos flisnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Atëherë u tha: «Tregojani këtë Jakobit dhe vëllezërve». Pastaj doli dhe shkoi në një vend tjetër.

18. Kur zbardhi dita, rojat i zuri paniku kur panë se Pjetri nuk ishte aty.

19. Herodi e kërkoi, por nuk e gjeti. Atëherë i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që t’i vrisnin. Pastaj Herodi shkoi nga Judeja në Cezare dhe qëndroi aty.

Vdekja e Herodit

20. Herodi ishte shumë i zemëruar me banorët e Tirit e të Sidonit. Atëherë ata ranë në një mendje, shkuan tek ai dhe, pasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet nga mbretëria e tij.

21. Në ditën e caktuar Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fron dhe mbajti një fjalim.

22. Populli brohoriste: «Ky është zë perëndie e jo njeriu».

23. E menjëherë një engjëll i Zotit e goditi Herodin, meqë ai nuk i dha lavdi Perëndisë. Ai dha shpirt i brejtur nga krimbat.

24. Dhe fjala e Perëndisë përhapej gjithnjë e më shumë.

25. Barnaba e Sauli, pasi e përfunduan detyrën për t’u çuar ndihmën besimtarëve të Jerusalemit, u kthyen në Antioki dhe morën me vete Gjonin që quhej edhe Mark.