kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Veprat 6 Së Bashku (ALNT)

Zgjedhja e shtatë dhjakëve

1. Ato ditë, ndërsa po rritej numri i dishepujve, besimtarët greqishtfolës u ankuan ndaj besimtarëve hebraishtfolës, se vejushat e tyre po liheshin pas dore gjatë shpërndarjes së përditshme të ushqimit.

2. Atëherë të dymbëdhjetët thirrën të gjithë bashkësinë e dishepujve dhe thanë: «Nuk është e drejtë të lëmë mënjanë fjalën e Perëndisë e të shërbejmë në tryezë.

3. Prandaj, vëllezër, zgjidhni ndërmjet jush shtatë veta me emër të mirë, të mbushur me Shpirtin e Shenjtë e me urti, që t’i ngarkojmë me këtë detyrë.

4. Ne, nga ana jonë, do t’i kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës».

5. Këto fjalë i pëlqyen tërë bashkësisë dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim e i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën nga Antiokia, që ishte kthyer në besimin e judenjve.

6. Këta i sollën para apostujve, të cilët u lutën e vunë duart mbi ta.

7. Kështu fjala e Perëndisë përhapej e numri i dishepujve në Jerusalem rritej shumë. Po ashtu edhe shumë priftërinj pranonin besimin.

Padija kundër Stefanit

8. Stefani, njeri plot hir e fuqi, bënte mrekulli e shenja të mëdha në popull.

9. Atëherë, disa nga sinagoga e të ashtuquajturve libertinë, bashkë me disa kireneas, me disa aleksandrinë dhe me disa judenj nga Kilikia e Azia, filluan të debatonin me Stefanin.

10. Por ata nuk mundën t’i bënin ballë urtisë dhe Shpirtit të Shenjtë që i ndriçonte mendjen kur fliste.

11. Atëherë ata vunë disa njerëz të thoshin se e kishin dëgjuar duke thënë fjalë fyese kundër Moisiut e Perëndisë.

12. Kështu, ata ngritën në këmbë popullin, pleqtë e skribët dhe iu afruan Stefanit, e kapën dhe e çuan para sinedrit.

13. Aty sollën disa dëshmitarë të rremë, që thanë: «Ky njeri nuk ka reshtur së foluri kundër këtij vendi të shenjtë e kundër ligjit të Moisiut.

14. Ne e kemi dëgjuar të thotë se ky Jezui i Nazaretit do ta shkatërrojë këtë vend e do t’i ndryshojë zakonet që na ka lënë Moisiu».

15. Të gjithë ata që ishin ulur në sinedër e panë me vëmendje dhe panë se fytyra e tij ishte si fytyra e një engjëlli.