kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28

Dhjata e Re

Veprat 21 Së Bashku (ALNT)

Udhëtimi i Palit për në Jerusalem

1. Pasi u ndamë prej tyre, shkuam drejt e në Ko. Ditën tjetër në Rod e që aty në Patarë.

2. Kur gjetëm një anije që shkonte në Fenikë, hipëm në të dhe u nisëm.

3. Kaluam pranë Qipros, e lamë në të majtë, lundruam drejt Sirisë dhe u ndalëm në Tir, sepse anija duhej të shkarkonte mallin aty.

4. Kërkuam dishepujt dhe ndenjëm aty shtatë ditë. Të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, ata i thanë Palit të mos shkonte në Jerusalem.

5. Si kaluan shtatë ditët, u nisëm dhe vazhduam udhëtimin. Dishepujt na shoqëruan deri jashtë qytetit të gjithë, bashkë me gratë e me fëmijët e tyre. Aty, në breg të detit, ramë në gjunjë, u lutëm

6. dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Atëherë ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpi.

7. Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit besimtarë dhe ndenjëm një ditë me ta.

8. Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai.

9. Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin.

10. Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab.

11. Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i Shenjtë: Kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez dhe do t’ua dorëzojnë paganëve».

12. Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem.

13. Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu».

14. Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!».

15. Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem.

16. Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai.

Pali takon Jakobin në Jerusalem

17. Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit besimtarë na pritën me gëzim.

18. Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës.

19. Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes paganëve, me anë të shërbesës së tij.

20. Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit:«Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin e Moisiut.

21. Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes paganëve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat.

22. Si t’ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur.

23. Bëj, pra, këtë që të themi: Këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim.

24. Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin e Moisiut.

25. Ndërsa për paganët që kanë besuar kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria».

26. Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin.

Palin e kapin në tempull

27. Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën.

28. Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit të Moisiut dhe kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë paganë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë».

29. Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull.

30. Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert.

31. Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, komandantit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin.

32. Ai mori menjëherë disa ushtarë e centurionë dhe shkoi me nxitim drejt turmës.Kur pa turma komandantin e kohortës dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.

33. Atëherë u afrua komandanti, e kapi Palin dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë.

34. Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë.

35. Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin.

36. Turma që po e ndiqte, bërtiste: «Me vdekje!».

Mbrojtja e Palit

37. Kur po e çonin në fortesë Palin, ai i tha komandantit të kohortës: «A më lejohet të të them diçka?».Komandanti i tha: «Di greqisht?

38. Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katërmijë vrasësve?».

39. Pali iu përgjigj: «Unë jam jude nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti të rëndësishëm. Të lutem, më lejo t’i flas popullit».

40. Pasi i dha leje komandanti, Pali qëndroi te shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit për qetësi. Si u bë qetësi e madhe, foli në hebraisht e u tha: