kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Re

Romakëve 13 Së Bashku (ALNT)

Bindja ndaj autoriteteve

1. Çdo njeri t’u nënshtrohet autoriteteve që ka mbi vete. Sepse nuk ka autoritet që nuk është nga Perëndia. Të gjitha autoritetet janë caktuar nga Perëndia.

2. Pra, kush kundërshton autoritetin, i kundërvihet Perëndisë që e ka caktuar atë. Ata që e kundërshtojnë, i pret gjykimi i Perëndisë.

3. Nuk ka pse ta ketë frikë eprorin ai që bën të mirën, por ai që bën të keqen. A dëshiron të mos kesh frikë nga autoriteti? Bëj të mirën dhe do të marrësh lavdërime prej tij.

4. Sepse ai është shërbëtor i Perëndisë për të mirën.Por nëse ti bën të keqen, duhet të kesh frikë sepse ai nuk e mban më kot shpatën. Ai është shërbëtor i Perëndisë dhe hakmerret e ndëshkon keqbërësit.

5. Kështu duhet të nënshtroheni jo vetëm për shkak të ndëshkimit, por edhe për shkak të ndërgjegjes.

6. Prandaj i paguani edhe taksat, sepse autoritetet që merren me këtë punë janë shërbëtorë të Perëndisë.

7. Jepuni të gjithëve çfarë u takon: taksën atij që i takon taksa, taksën e doganës atij që i takon taksa e doganës, frikën atij që i takon t’i frikësoheni, nderimin atij që i takon nderimi.

Dashuria vëllazërore

8. Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç detyrimit për të dashur njëri-tjetrin. Kush e do tjetrin, e ka përmbushur ligjin e Moisiut.

9. Urdhërimet: Mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos lakmo dhe urdhërimet e tjera përmblidhen në këtë fjalë: Duaje tjetrin si veten.

10. Kush e do tjetrin, nuk i bën keq atij. Prandaj dashuria është përmbushja e ligjit të Moisiut.

Afrimi i ditës së Krishtit

11. Bëjeni këtë, sepse ju e dini se në ç’kohëra jetojmë. Tashmë ka ardhur ora për t’u zgjuar nga gjumi. Shpëtimi ynë është më afër tani sesa kur besuam.

12. Nata kaloi, ndërsa dita po afron. Prandaj të hedhim tej veprat e errësirës dhe të ngjeshim armët e dritës.

13. Të jetojmë me ndershmëri si ditën, jo në shthurje e dehje, jo në kurvëri e fëlligështi, jo në grindje e smirë.

14. Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos u përpiqni të plotësoni epshet e natyrës njerëzore.