kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Re

Romakëve 10 Së Bashku (ALNT)

1. O vëllezër, e dëshiroj me gjithë zemër shpëtimin e Izraelit dhe për këtë i lutem Perëndisë.

2. Unë dëshmoj se ata kanë zell për Perëndinë, por zelli i tyre nuk mbështetet në njohurinë e vërtetë.

3. Ata nuk donin të kuptonin se është vetëm Perëndia ai që i bën të drejtë njerëzit, por kërkuan të bëhen të drejtë me veprat e tyre. Kështu ata nuk iu nënshtruan Perëndisë që mund t’i bënte të drejtë.

4. Krishti i jep fund ligjit të Moisiut me qëllim që të bëhet i drejtë kushdo që beson në të.

Shpëtimi për të gjithë

5. Moisiu shkruan sesi njeriu mund të bëhet i drejtë përmes ligjit dhe thotë: Njeriu që i zbaton urdhërimet e ligjit do të jetojë prej tyre.

6. Ndërsa për atë që bëhet i drejtë përmes besimit, Moisiu thotë kështu: Mos thuaj në zemrën tënde: «Kush do të ngjitet në qiell?». Me këtë donte të thoshte se Krishti do të zbriste poshtë.

7. As mos thuaj: «Kush do të zbresë në ferr?» Me këtë donte të thoshte se Krishti do të ngjallej prej të vdekurve.

8. Por çfarë thotë, pra? Fjala është pranë teje, në gojën dhe në zemrën tënde.Kjo është fjala e besimit që ne predikojmë.

9. Nëse rrëfen me gojë se Jezui është Zot dhe nëse beson me zemër se Perëndia e ngjalli atë prej të vdekurve, ti do të shpëtohesh.

10. Sepse njeriu beson me zemër dhe Perëndia e bën të drejtë, rrëfen me gojë dhe Perëndia e shpëton.

11. Shkrimi i shenjtë thotë: Kush beson në të, nuk do të turpërohet.

12. Sepse nuk ka dallim ndërmjet judeut e paganit: Zoti është i njëjtë për të gjithë dhe është zemërgjerë me të gjithë ata që e thërrasin emrin e tij.

13. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Kush thërret emrin e Zotit, do të shpëtohet.

14. Por si do ta thërrasin atë të cilit nuk i besuan? Dhe si mund t’i besojnë atij për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë nëse nuk ka njeri që t’u predikojë?

15. Dhe si mund të predikojnë nëse nuk i ka dërguar Zoti? Shkrimi i shenjtë thotë: Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajme të mira!

16. Por jo të gjithë iu bindën ungjillit. Isaia thotë: O Zot, kush i besoi lajmit tonë?

17. Pra, besimi vjen nga dëgjimi dhe dëgjimi vjen përmes fjalës së Krishtit.

18. Por unë pyes: Mos vallë nuk kanë dëgjuar ata? Patjetër që kanë dëgjuar: Zëri i tyre u përhap në të gjithë tokën dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës.

19. Përsëri pyes: Mos vallë nuk kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: Unë do t’ju bëj të keni zili një komb që nuk është fare komb; do t’ju bëj të zemëroheni me një komb të pamend.

20. Isaia pati guximin të thotë: Ata që nuk më kërkonin, më gjetën; iu shfaqa atyre që nuk më kërkonin.

21. Po për Izraelin ai thotë: Gjithë ditën i shtriva dorën një populli të pabindur e kundërshtues.