kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Re

Romakëve 5 Së Bashku (ALNT)

Të pajtuar me Perëndinë

1. Përderisa jemi bërë të drejtë prej besimit, kemi paqe me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht.

2. Përmes tij kemi hyrë me besim në hirin e Perëndisë, hir në të cilin qëndrojmë dhe krenohemi me shpresën se do të marrim pjesë në lavdinë e Perëndisë.

3. Dhe jo vetëm kaq, por ne krenohemi edhe kur kalojmë vuajtje, sepse e dimë se vuajtja sjell durimin,

4. durimi sjell qëndresën në sprova dhe sprovat sjellin shpresën.

5. Shpresa nuk na turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona përmes Shpirtit të Shenjtë që na u dha.

6. Kur ne ishim ende të dobët në besim, Krishti vdiq në kohën e caktuar për ata që jetonin pa besim në Perëndinë.

7. Në të vërtetë, vështirë se dikush do të jepte jetën për një njeri të drejtë. Ndoshta për një njeri të mirë dikush edhe do të guxonte të vdiste.

8. Kur ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Me këtë Perëndia e tregoi dashurinë e tij për ne.

9. Për më tepër, ne që tashmë jemi bërë të drejtë prej gjakut të Krishtit, do të shpëtojmë përmes tij edhe nga zemërimi i Perëndisë.

10. Nëse u pajtuam me Perëndinë përmes vdekjes së Birit të tij kur ende ishim armiq me të, aq më tepër do të shpëtohemi prej jetës së Birit të tij tani që jemi pajtuar me të.

11. Dhe jo vetëm kaq, por ne edhe krenohemi me Perëndinë përmes Zotit tonë Jezu Krisht, nëpërmjet të cilit tashmë jemi pajtuar me të.

Adami dhe Krishti

12. Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu e nëpërmjet mëkatit hyri vdekja. Kështu vdekja depërtoi te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.

13. Në të vërtetë, mëkati ishte në botë edhe përpara se të jepej ligji i Moisiut, mirëpo mëkati nuk njihej si i tillë përderisa nuk kishte ligj.

14. Megjithatë, që nga koha e Adamit e deri te Moisiu vdekja mbretëroi edhe mbi ata që nuk bënë të njëjtin mëkat si të Adamit, i cili shkeli urdhërimin e Perëndisë.Adami është shembulli i atij që do të vinte.

15. Por dhurata e hirit të Perëndisë nuk mund të krahasohet me shkeljen e Adamit. Nëse prej shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën të gjithë, aq më shumë do të teprojnë për të gjithë hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e bërë nga një njeri i vetëm, Jezu Krishti.

16. Dhurata e Perëndisë nuk është si e keqja që solli mëkati i një njeriu; sepse gjykimi që erdhi nga mëkati i një njeriu solli ndëshkim; ndërsa dhurata e hirit që na u dha pas shumë shkeljesh, na bëri të drejtë.

17. Nëse vdekja mbretëroi përmes një njeriu të vetëm për shkak të shkeljes së tij, aq më tepër do të mbretërojnë në jetë ata që përmes një njeriu, Jezu Krishtit, marrin hirin e begatë dhe dhuratën e Perëndisë, që na bën të drejtë.

18. Prandaj, sikurse përmes shkeljes së një njeriu të vetëm erdhi ndëshkimi për të gjithë njerëzit, ashtu edhe përmes veprës së drejtë të një njeriu Perëndia i bën të drejtë dhe u jep jetë të gjithë njerëzve.

19. Sikurse përmes mosbindjes së një njeriu të vetëm të gjithë u bënë mëkatarë, ashtu edhe përmes bindjes së një njeriu të vetëm të gjithë do të bëhen të drejtë.

20. Po kur erdhi ligji i Moisiut, u pa sesa të shumta ishin shkeljet. Mirëpo, aty ku mëkati ishte i shumtë, edhe më i shumtë ishte hiri i Perëndisë.

21. Kështu, sikurse mëkati mbretëroi me anë të vdekjes, ashtu do të mbretërojë edhe hiri, duke na bërë të drejtë për të na çuar në jetën e amshuar përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.