kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Re

Romakëve 8 Së Bashku (ALNT)

Jeta në Shpirtin e Shenjtë

1. Prandaj, tanimë nuk ka asnjë dënim për ata që i përkasin Krishtit Jezu,

2. sepse ligji i Shpirtit të Shenjtë, që jep jetë përmes Krishtit Jezu, ju çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.

3. Atë që nuk mund ta bënte ligji i Moisiut për shkak të dobësisë së natyrës njerëzore, e bëri Perëndia duke dërguar Birin e vet në përngjasim me natyrën njerëzore mëkatare. Për sa i takon mëkatit, ai e ndëshkoi mëkatin në natyrën njerëzore

4. në mënyrë që kërkesat e drejta të ligjit të Moisiut të përmbushen në ne që nuk jetojmë sipas natyrës njerëzore, por sipas Shpirtit të Shenjtë.

5. Ata që jetojnë sipas natyrës njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e natyrës njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit të Shenjtë, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit të Shenjtë.

6. Mendja te gjërat e natyrës njerëzore të çon në vdekje, ndërsa mendja te gjërat e Shpirtit të Shenjtë të çon në jetë dhe paqe.

7. Prandaj mendja te gjërat e natyrës njerëzore është në armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.

8. Ata që jetojnë sipas natyrës njerëzore, nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.

9. Ju nuk jetoni sipas natyrës njerëzore, por jetoni në Shpirtin e Shenjtë, përderisa Shpirti i Perëndisë banon në ju. Nëse ndonjë nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit.

10. Nëse Krishti është në ju, trupi juaj do të vdesë për shkak të mëkatit, por Shpirti i Shenjtë ju jep jetë, për shkak se Perëndia ju ka bërë të drejtë.

11. Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju.

12. Prandaj, o vëllezër, detyrimi që kemi nuk është kundrejt natyrës njerëzore për të jetuar sipas saj.

13. Nëse jetoni sipas natyrës njerëzore, ju do të vdisni; por nëse me anë të Shpirtit të Shenjtë do t’i shkatërroni për vdekje veprat e natyrës njerëzore, ju do të jetoni.

14. Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë.

15. Sepse Shpirti që keni marrë, nuk është një shpirt që ju bën skllevër për të pasur sërish frikë, por keni marrë Shpirtin e Shenjtë, që ju bën bij të Perëndisë, nëpërmjet të cilit thërrasim: Abba, o Atë!

16. Ky Shpirt i Shenjtë dëshmon me shpirtin tonë se jemi bij të Perëndisë.

17. Nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë si dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, sepse, nëse vuajmë bashkë me të, edhe do të përlëvdohemi bashkë me të.

Lavdia e ardhshme

18. Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen.

19. Gjithçka e krijuar nga Perëndia pret me padurim që ai të shfaqë bijtë e tij.

20. Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi. Megjithatë ka shpresë

21. se gjithçka e krijuar do të çlirohet nga robëria e kalbjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.

22. Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes;

23. dhe jo vetëm gjithçka e krijuar, por edhe vetë ne që i kemi marrë frytet e para të Shpirtit të Shenjtë rënkojmë përbrenda vetes, duke pritur me padurim birësimin dhe shpengimin e trupave tanë.

24. Sepse u shpëtuam me anë të shpresës, por shpresa që shihet nuk është shpresë. Përse duhet ta shpresojë njeriu atë që sheh?

25. Por nëse shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me durim.

26. Po ashtu edhe Shpirti i Shenjtë na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti i Shenjtë ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme.

27. Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është vullneti i Shpirtit të Shenjtë, sepse ai ndërmjetëson për besimtarët e krishterë siç i pëlqen Perëndisë.

28. Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij.

29. Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t’u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve.

30. Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi.

Dashuria e Perëndisë

31. Ç’të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtetë nuk e kurseu Birin e vet,

32. por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër?

33. Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë.

34. Kush është ai që do t’i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë dhe ndërmjetëson për ne.

35. Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mos vallë pikëllimi a hidhërimi, përndjekja a uria, të zhveshurit a rreziku apo shpata?

36. Sikurse thotë Shkrimi i shenjtë: Për ty po vritemi gjithë ditën; po na trajtojnë si delet që i çojnë për t’u therur.

37. Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi.

38. Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet,

39. as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë, që u tregua përmes Krishtit Jezu, Zotit tonë.