kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13

Dhjata e Re

Hebrenjve 7 Së Bashku (ALNT)

Urdhri priftëror i Melkisedekut

1. Ky Melkisedeku, ishte mbret i Salemit dhe prift i më të lartit Perëndi. Kur Abrahami po kthehej nga beteja, ku shfarosi mbretërit, Melkisedeku e takoi dhe e bekoi.

2. Abrahami i dha atij një të dhjetën e gjithçkaje.Emri Melkisedek do të thotë së pari ‘mbret i drejtësisë’. Ai ishte edhe mbret i Salemit, që do të thotë ‘mbret i paqes’.

3. Nuk ia njohim as të atin, as nënën dhe as paraardhësit. Nuk dimë gjë as për lindjen dhe as për vdekjen e tij. I ngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.

4. Pa mendohuni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku Abraham i dha të dhjetën e gjithçkaje që kishte plaçkitur.

5. Ata që e kanë marrë priftërinë si pasardhës të Levit, kanë urdhër që, sipas ligjit të Moisiut, të marrin të dhjetën e gjithçkaje nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, pavarësisht se edhe ata kanë dalë prej farës së Abrahamit.

6. Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë.

7. Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi.

8. Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton.

9. Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën,

10. sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij Abrahamit kur ky u takua me Melkisedekun.

11. Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç’nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhërit të Melkisedekut dhe jo sipas urdhërit të Aaronit?

12. Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit.

13. Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit.

14. Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë.

15. Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun,

16. i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s’ka fund.

17. Sepse Shkrimi i shenjtë dëshmon: Ti do të jesh prift përjetë sipas urdhrit të Melkisedekut.

18. Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm.

19. Ligji i Moisiut nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë.

20. Jezui nuk u bë prift pa betim, ndërsa të tjerët u bënë pa betim.

21. Jezui u bë prift me betimin e Perëndisë që i tha: Zoti u betua dhe nuk do të pendohet. Ti je prift në amshim .

22. Prandaj Jezui u bë dorëzani i një besëlidhjeje më të mirë.

23. Priftërinjtë e tjerë ishin të shumtë, pasi nuk i lejonte vdekja të mbeteshin priftërinj përjetë,

24. ndërsa Jezui, ngaqë jeton në amshim, ka priftëri të patjetërsueshme.

25. Prandaj ai mund t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta.

26. I tillë kryeprift na duhej: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollosur, i ndarë veç nga mëkatarët dhe i ngritur më lart se qiejt.

27. Ai nuk ka nevojë çdo ditë për flijime si kryepriftërinjtë e tjerë, të cilët ofrojnë në fillim flijim për mëkatet e veta dhe pastaj për ato të popullit. Këtë ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur ofroi veten si flijim.

28. Ligji i Mosiut vendos si kryepriftërinj njerëz me dobësi, ndërsa fjala e betimit, që vjen pas këtij ligji, vendos Birin, i cili është i përsosur në amshim.