kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13

Dhjata e Re

Hebrenjve 6 Së Bashku (ALNT)

1. Prandaj, duke lënë mënjanë njohuritë fillestare për Krishtin, le të shkojmë drejt përsosjes. Le të mos merremi më me gjërat fillestare: me pendimin për veprat e vdekura, me besimin në Perëndinë,

2. mësimin për pagëzimin, vënien e duarve, ngjalljen e të vdekurve dhe gjykimin e përjetshëm.

3. Edhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.

4. Është e pamundur për ata që u ndriçuan një herë, që shijuan dhuratën qiellore, që morën Shpirtin e Shenjtë,

5. që shijuan bukurinë e fjalës së Perëndisë dhe mrekullitë e jetës së ardhshme

6. dhe që pastaj ranë, të rilindin me anë të pendimit, kur ata vetë e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë botërisht.

7. Kur toka pi shiun që bie shpesh mbi të dhe prodhon bimë të dobishme për ata që e punojnë, ajo merr bekim nga Perëndia.

8. Ndërsa, kur prodhon ferra e murriza, është e padobishme dhe po i afrohet mallkimi. Fundi i saj do të jetë djegia në zjarr.

9. Por, ndonëse flasim kështu, o fort të dashur, jemi të bindur se ju keni gjëra më të mira, që mbartin shpëtim.

10. Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që keni treguar në emër të tij me shërbimin që u keni bërë dhe vazhdoni t’u bëni besimtarëve të krishterë.

11. Dëshirojmë që secili prej jush të tregojë po atë zell deri në fund, që të përmbushet shpresa juaj.

12. Mos u bëni përtacë, por ndiqni shembullin e atyre që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëguan premtimin e Perëndisë.

Premtimi i sigurt i Perëndisë

13. Kur Perëndia i bëri premtimin Abrahamit, ngaqë nuk kishte ndonjë më të madh për t’u betuar, u betua për veten e tij

14. dhe tha: Të premtoj se do të të bekoj dhe do të të jap shumë pasardhës.

15. Kështu, Abrahami priti me durim dhe fitoi premtimin.

16. Njerëzit betohen për dikë që është më i madh se ata dhe betimi është siguria që japin për të mbyllur çdo mosmarrëveshje.

17. Kështu edhe Perëndia përdori betimin, duke dashur t’i sigurojë edhe më shumë trashëgimtarët e premtimit për palëkundshmërinë e vendimit të tij.

18. Pra, ka dy gjëra të pandryshueshme, për të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë.Nëpërmjet tyre, ne që kemi kërkuar strehë tek ai, marrim guxim të madh për t’u mbështetur në shpresën që kemi përpara.

19. Kjo shpresë është për ne spiranca e jetës. Ajo është e sigurt dhe e patundur dhe na çon deri në pjesën e brendshme të altarit, pas velit.

20. Atje ka hyrë përpara nesh dhe për ne Jezui, që u bë kryeprift në amshim sipas urdhrit të Melkisedekut.