kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13

Dhjata e Re

Hebrenjve 3 Së Bashku (ALNT)

Jezui është më i madh se Moisiu

1. Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni me kujdes Jezuin, të dërguarin e Perëndisë dhe kryepriftin e besimit që shpallim.

2. Ai ishte besnik ndaj atij që e bëri kryeprift, ashtu siç ishte edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Perëndisë.

3. Por Jezui u çmua i denjë për lavdi më të madhe se Moisiu, sepse ai që ndërton shtëpinë nderohet më shumë se shtëpia vetë.

4. Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, ndërsa ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.

5. Moisiu ishte besnik në tërë shtëpinë e Perëndisë, por si shërbëtor dhe për të dëshmuar gjithçka që do t’i thoshte Perëndia.

6. Ndërsa Krishti ishte si biri në shtëpinë e vet, shtëpi e cila jemi ne, nëse ruajmë guximin dhe shpresën me të cilën mburremi.

Prehje për popullin e Perëndisë

7. Sikurse thotë Shpirti i Shenjtë: Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,

8. mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në ditën e rebelimit gjatë tundimit në shkretëtirë,

9. ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, ndonëse i kishin parë veprat e mia

10. për dyzet vjet. Prandaj unë u zemërova me atë brezni dhe thashë: Gjithmonë mashtrohet zemra e tyre dhe ata nuk i njohën udhët e mia.

11. Dhe kështu në zemërimin tim u betova: Nuk do të hyjnë kurrë në prehjen time.

12. Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjëri prej jush ka zemër të ligë e mosbesuese dhe kështu largohet nga Perëndia i gjallë.

13. Por nxisni njëri-tjetrin çdo ditë për sa kohë të jetë ‘sot’, që të mos ngurtësohet ndonjë prej jush nga mashtrimi i mëkatit.

14. Ne bëhemi pjesëtarë të Krishtit vetëm nëse e ruajmë të sigurt deri në fund besimin dhe bindjen e fillimit.

15. Thuhet qartë: Sot, nëse e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në ditën e rebelimit gjatë provës në shkretëtirë.

16. Kush ishin ata që dëgjuan dhe u rebeluan? A nuk ishin të gjithë ata që dolën nga Egjipti me Moisiun?

17. Kush ishin ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A nuk ishin ata që mëkatuan dhe lanë kockat nëpër shkretëtirë?

18. Për cilët u betua se nuk do të hyjnë në prehjen e tij? A nuk u betua për ata që nuk u bindën?

19. Ne shohim se ata nuk mundën të hynin për shkak të mosbesimit.