kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13

Dhjata e Re

Hebrenjve 2 Së Bashku (ALNT)

Shpëtimi i madh

1. Prandaj duhet të tregojmë më shumë kujdes për gjërat që kemi dëgjuar, që të mos dalim nga udha.

2. Nëse fjala që u tha nëpërmjet engjëjve, u vërtetua dhe çdo shkelje e mosbindje ndaj saj mori ndëshkimin e drejtë,

3. si do të shpëtojmë po të lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Këtë shpëtim në fillim e shpalli Zoti dhe më pas na e vërtetuan ata që e dëgjuan.

4. Për të dëshmoi edhe vetë Perëndia me anë mrekullish e shenjash dhe me dhuratat e Shpirtit të Shenjtë, të ndara sipas vullnetit të tij.

Prijësi drejt shpëtimit

5. Perëndia nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim.

6. Diku dëshmohet: Ç’është njeriu që të kujtohesh për të? Ç’është biri i njeriut që të kujdesesh për të?

7. Për pak kohë e bëre më të vogël se engjëjt dhe e kurorëzove me lavdi e me nder .

8. Gjithçka e nënshtrove nën këmbët e tij.Kur i nënshtroi gjithçka, nuk la asgjë pa i nënshtruar. Por tani ne ende nuk e shohim, që gjithçka i është nënshtruar atij.

9. Jezuin, që për pak kohë u bë më i vogël se engjëjt, tani e shohim të kurorëzuar me lavdi e me nder për shkak të vdekjes së tij. Kështu, me hirin e Perëndisë, ai provoi vdekjen për të gjithë njerëzit.

10. Perëndia, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit u krijuan të gjitha gjërat, çoi shumë bij drejt lavdisë. Ai, pra, duhej ta bënte të përsosur kreun e shpëtimit të tyre nëpërmjet vuajtjeve.

11. Meqenëse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë nga i njëjti Atë, Jezuit nuk i vjen turp t’i quajë vëllezër

12. kur thotë: Emrin tënd do t’ua tregoj vëllezërve të mi dhe do të thur himne për ty në mes të kishës.

13. Thotë edhe: Unë do të kem besim tek ai,si dhe: Ja unë dhe bijtë që më dha Perëndia.

14. Meqenëse bijtë janë njerëz prej gjaku dhe mishi, atëherë Jezui mori të njëjtën natyrë njerëzore si ata, që nëpërmjet vdekjes të shkatërronte atë që kishte pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,

15. dhe të çlironte të gjithë ata që, nga frika e vdekjes, i ishin nënshtruar për gjithë jetën skllavërisë.

16. Duket qartë se ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por pasardhësve të Abrahamit.

17. Prandaj, ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të bëhej i mëshirshëm dhe kryeprift besnik në shërbim të Perëndisë dhe kështu të shlyente mëkatet e popullit.

18. Meqenëse edhe ai vetë vuajti e u tundua, mund të ndihmojë edhe ata që tundohen.