kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6

Dhjata e Re

Galatasve 4 Së Bashku (ALNT)

1. Po ju them se, për aq kohë sa trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, ndonëse është pronari i gjithçkaje.

2. Ai është nën kujdestarë e administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.

3. Po ashtu edhe ne, kur ishim të mitur, kemi qenë skllevër të fuqive shpirtërore të botës.

4. Po kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e tij. Ai u lind nga një grua dhe iu nënshtrua ligjit të Moisiut

5. për të shpenguar ata që ishin nën atë ligj dhe që ne të birësohemi nga Perëndia.

6. Duke qenë se jeni bij të tij, Perëndia dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të tij që thërret: «Abba, o Atë!».

7. Prandaj ti nuk je më skllav, por bir; e nëse je bir, je edhe trashëgimtar përmes Perëndisë.

Pali shqetësohet për galatasit

8. Por dikur, kur nuk e njihnit Perëndinë, ishit skllevër të idhujve, që prej natyre nuk janë perëndi.

9. Ndërsa tani që e keni njohur Perëndinë, ose më mirë të them u njohët prej Perëndisë, si ktheheni përsëri te këto fuqi shpirtërore të dobëta e mjerane për t’u bërë sërish skllevër të tyre?

10. Ju i kremtoni me kujdes disa ditë të veçanta, muaj, stinë dhe vite.

11. Kam frikë se u mundova më kot për ju.

12. Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju. Ju nuk më bëtë asgjë të keqe.

13. Ju e dini se herën e parë që ju predikova ungjillin isha sëmurë.

14. Megjithëse sëmundja ime ishte një sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu.

15. Ku shkoi gëzimi juaj? Unë dëshmoj se po të kishte qenë e mundshme, ju do t’i kishit nxjerrë edhe sytë tuaj për të m’i dhënë mua.

16. A thua u bëra armiku juaj pse po ju them të vërtetën?

17. Ata tregohen të zellshëm me ju, por jo për mirë. Përkundrazi, dëshirojnë t’ju shkëpusin, që pastaj t’u shërbeni me zell atyre.

18. Mirë është që të jeni gjithmonë të zellshëm për të mirën, e jo vetëm kur unë jam me ju.

19. Bijtë e mi, unë po kaloj për ju të njëjtat dhimbje si të një gruaje gjatë lindjes, derisa Krishti të formohet në ju.

20. Do të doja të isha pranë jush tani dhe të ndryshoja tonin e zërit, sepse nuk di ç’të bëj më me ju.

Alegoria me Hagarën dhe Sarën

21. Më thoni ju që dëshironi të jeni nën ligjin e Moisiut, a nuk e dëgjoni ç’thotë ky ligj?

22. Shkrimi i shenjtë thotë se Abrahami pati dy bij: një prej skllaves e një prej së lirës.

23. Biri i skllaves u lind përmes vullnetit njerëzor, ndërsa biri i së lirës përmes premtimit të Perëndisë.

24. Këto gjëra kanë kuptim alegorik. Dy gratë janë dy besëlidhje. Njëra është Hagara që përfaqëson besëlidhjen e Malit të Sinait dhe lind fëmijë për skllavëri.

25. Mali i Sinait, që përfaqëson Hagara, është në Arabi dhe përkon me Jerusalemin e sotëm, që është në skllavëri bashkë me bijtë e vet.

26. Ndërsa gruaja e lirë përfaqëson Jerusalemin qiellor, që është nëna jonë.

27. Shkrimi i shenjtë thotë: Ngazëllohu ti shterpë, ti që nuk lind, kërce dhe bërtit nga gëzimi ti që nuk i ndjen dhimbjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që ka burrë.

28. Ju vëllezër jeni bij të premtimit të Perëndisë, sikurse Isaku.

29. Edhe tani ndodh ashtu si atëherë kur ai që u lind përmes vullnetit njerëzor, përndoqi atë që kishte lindur përmes Shpirtit të Shenjtë.

30. Por çfarë thotë Shkrimi i shenjtë? Dëboje skllaven me birin e saj, pasi biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me të birin e së lirës.

31. Kështu pra, vëllezër, ne nuk jemi bijtë e skllaves, por bijtë e së lirës.