kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6

Dhjata e Re

Galatasve 1 Së Bashku (ALNT)

Përshëndetje

1. Unë, Pali, që nuk u bëra apostull prej njerëzve e as me anë të ndonjë njeriu, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atë, që e ngjalli atë prej të vdekurve,

2. së bashku me të gjithë vëllezërit që janë me mua, po u shkruaj kishave të Galatisë:

3. Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!

4. Ai e flijoi veten e tij për mëkatet tona, që të na çlironte nga kjo botë e ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë.

5. Atij i qoftë lavdia në shekuj të shekujve! Amen!

Nuk ka ungjill tjetër

6. Habitem sa shpejt po largoheni nga Perëndia që ju thirri në hirin e Krishtit e po shkoni drejt një ungjilli tjetër.

7. Ungjill tjetër nuk ka, por janë vetëm disa njerëz që po ju turbullojnë dhe që duan të shtrembërojnë ungjillin e Krishtit.

8. Por edhe sikur dikush nga ne ose një engjëll nga qielli do t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë mallkuar.

9. Atë që ju kemi thënë më parë, tani po jua them sërish: Nëse dikush ju predikon një ungjill të ndryshëm nga ai që keni pranuar, qoftë mallkuar.

10. A mos po kërkoj të marr pëlqimin e njerëzve a të Perëndisë? Apo po kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Po të kërkoja t’u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit.

Pali thirret apostull

11. Po ju vë në dijeni, o vëllezër, se ungjilli që ju predikova nuk vjen nga njerëzit.

12. Unë as nuk e mora, as nuk e mësova nga ndonjë njeri, por nëpërmjet zbulesës së Jezu Krishtit.

13. Ju keni dëgjuar për sjelljen time të dikurshme kur ndiqja fenë judaike; se me sa zell e përndiqja kishën e Perëndisë dhe përpiqesha ta shkatërroja.

14. Në fenë judaike unë ua kalova shumë bashkëmoshatarëve të kombit tim dhe isha jashtëzakonisht i zellshëm ndaj traditave të etërve të mi.

15. Po kur Perëndisë, që më ndau veç që në barkun e nënës dhe më thirri nëpërmjet hirit të tij, i pëlqeu

16. të më zbulojë Birin e vet për ta predikuar ndër kombet pagane, unë menjëherë, pa u këshilluar me asnjeri

17. dhe pa shkuar në Jerusalem tek ata që ishin apostuj para meje, shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.

18. Vetëm tre vjet më vonë shkova në Jerusalem për të takuar Pjetrin dhe qëndrova me të pesëmbëdhjetë ditë.

19. Por nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë përveç Jakobit, vëllait të Zotit.

20. Ja, këto gjëra i shkruaj para Perëndisë e nuk gënjej.

21. Pastaj shkova në krahinat e Sirisë dhe Kilikisë.

22. Ndërkohë kishat e Judesë që besojnë në Krishtin, nuk më njihnin personalisht.

23. Ata vetëm kishin dëgjuar: «Ai që më parë na përndiqte, tani predikon besimin që përpiqej ta shkatërronte dikur».

24. Dhe përlëvdonin Perëndinë për mua.