kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6

Dhjata e Re

Galatasve 5 Së Bashku (ALNT)

1. Krishti na çliroi që të jemi të lirë. Prandaj qëndroni fort dhe mos iu nënshtroni përsëri zgjedhës së skllavërisë.

Liria e krishterë

2. Ja, unë Pali po ju them: në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju vlejë aspak.

3. Përsëri dëshmoj se çdo njeri që rrethpritet është i detyruar të zbatojë tërë ligjin e Moisiut.

4. Ju që doni të bëheni të drejtë me anë të ligjit të Moisiut jeni ndarë nga Krishti dhe jeni larguar nga hiri i Perëndisë.

5. Sepse në Shpirtin e Shenjtë, me anë të besimit, ne presim me shpresë që Perëndia të na bëjë të drejtë.

6. Për atë që është i bashkuar me Krishtin Jezu nuk ka vlerë as rrethprerja, as parrethprerja, por besimi që vepron përmes dashurisë.

7. Ju po vraponit mirë. Kush ju pengoi të mos i bindeni të vërtetës?

8. Ato që ju kanë thënë për t’ju mbushur mendjen, nuk vijnë prej Perëndisë që ju thirri.

9. Pak tharm duhet që të vijë tërë brumi.

10. Zoti më jep bindjen se ju nuk do të mendoni ndryshe. Por ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do të marrë ndëshkimin.

11. Nëse unë, vëllezër, predikoj ende rrethprerjen, përse jam ende i përndjekur? Atëherë kryqi i Krishtit nuk do të ishte më shkak për skandal.

12. U tredhshin e u gjymtofshin ata që po ju trazojnë.

13. Vëllezër, ju jeni thirrur për të jetuar të lirë. Veçse kjo liri të mos bëhet shkak që të jetoni sipas dëshirave të trupit, por t’i shërbeni njëri-tjetrit me dashuri.

14. Sepse i gjithë ligji i Moisiut është përmbledhur në këtë urdhër të vetëm: Duaje tjetrin si veten.

15. Por në qoftë se kafshoni dhe përpini njëri-tjetrin, ruajuni se mos shfarosni njëri-tjetrin.

Fryti i Shpirtit të Shenjtë dhe veprat njerëzore

16. Prandaj ju them: jetoni në Shpirtin e Shenjtë dhe kështu nuk do të ndiqni dëshirat tuaja mëkatare.

17. Sepse dëshirat mëkatare janë kundër Shpirtit të Shenjtë dhe Shpirti i Shenjtë është kundër dëshirave mëkatare. Këta janë në kundërshtim njëri me tjetrin dhe kështu ju nuk bëni atë që dëshironi.

18. Në qoftë se udhëhiqeni prej Shpirtit të Shenjtë, nuk jeni nën ligjin e Moisiut.

19. Veprat e dëshirave mëkatare janë të njohura: kurvëria, ndyrësia, fëlligështia,

20. idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindja, xhelozia, mëritë, ambiciet, ndasitë, përçarjet,

21. zilitë, dehjet, darkat e shfrenuara dhe të tjera si këto. Po ju paralajmëroj, ashtu siç ju kam thënë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

22. Por fryti i Shpirtit të Shenjtë është dashuria, gëzimi, paqja, durimi, dashamirësia, mirësia, besimi,

23. zemërbutësia dhe vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj.

24. Ata që janë të Krishtit Jezu e kanë kryqëzuar natyrën e tyre mëkatare bashkë me pasionet e dëshirat e veta.

25. Në qoftë se jetojmë në Shpirtin e Shenjtë atëherë edhe le të udhëhiqemi prej tij.

26. Të mos krekosemi duke provokuar dhe duke pasur zili njëri-tjetrin.