kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6

Dhjata e Re

Galatasve 2 Së Bashku (ALNT)

Pali pranohet nga apostujt e tjerë

1. Pas katërmbëdhjetë vjetësh shkova sërish në Jerusalem me Barnabën dhe mora me vete edhe Titin.

2. Shkova se kështu më tregoi Perëndia në një zbulesë. Atje u shtjellova atyre ungjillin që predikoj ndër kombet pagane, veçanërisht atyre që ishin më të rëndësishëm, që të mos shkojë kot mundi që kam bërë e po bëj për ju.

3. Edhe Titi që ishte me mua, megjithëse është grek, nuk u detyrua që të rrethpritet,

4. pavarësisht vëllezërve të rremë e tinëzarë, të cilët kishin hyrë vjedhurazi për të përgjuar lirinë tonë që kemi përmes Krishtit Jezu dhe për të na robëruar.

5. Ne nuk iu nënshtruam këtyre as edhe për një çast, me qëllim që e vërteta e ungjillit të mbetej me ju.

6. Dhe ata që e mbanin veten si më të rëndësishëm - për mua nuk ka rëndësi çfarë ishin ata, se Perëndia nuk gjykon sipas pamjes së jashtme - këta pra, nuk i shtuan asgjë ungjillit tim.

7. Përkundrazi, ata e kishin parë se ungjilli për të parrethprerët më është besuar mua, sikurse Pjetrit i është besuar ungjilli për të rrethprerët.

8. Ai që e bëri Pjetrin apostull për të rrethprerët, më bëri edhe mua apostull për kombet pagane.

9. Ata e njihnin edhe hirin që më ishte dhënë. Jakobi, Pjetri dhe Gjoni, që njiheshin si shtylla të besimit, na shtrinë dorën e djathtë si shenjë vëllazërie mua dhe Barnabës, që ne të shkonim ndër kombet pagane, ndërsa ata ndër të rrethprerët.

10. Veçse na kërkuan të kujtoheshim për të varfrit e tyre, gjë që e kam bërë me këmbëngulje.

Pali qorton Pjetrin në Antioki

11. Po kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova haptas, sepse ishte për t’u qortuar.

12. Përpara se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, Pjetri hante bashkë me besimtarë me prejardhje pagane. Po kur erdhën ata, ai u tërhoq dhe u nda veçmas prej frikës nga të krishterët e rrethprerë.

13. Edhe judenjtë e tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa dhe Barnaba u gënjye nga hipokrizia e tyre.

14. Po kur pashë se ata nuk jetonin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit para të gjithëve:«Në qoftë se ti, që je jude, sillesh si pagan dhe jo si jude, si mund t’i detyrosh besimtarët me prejardhje pagane të sillen si judenj?».

Shpëtimi përmes besimit

15. Ne vetë, që jemi lindur judenj dhe nuk jemi nga kombet mëkatare,

16. e dimë se njeriu nuk bëhet i drejtë nga veprat që kërkon ligji i Moisiut, por vetëm përmes besimit në Jezu Krishtin. Prandaj edhe besuam në Krishtin Jezu, në mënyrë që të bëhemi të drejtë nga besimi në Krishtin dhe jo nga veprat që kërkon ligji i Moisiut, sepse askush nuk do të bëhet i drejtë nga veprat që kërkon ky ligj.

17. Por nëse ne që kërkojmë të bëhemi të drejtë përmes Krishtit, del se jemi mëkatarë si të tjerët, mos vallë Krishti i shërbyeka mëkatit? Larg qoftë!

18. Sepse po të ndërtoja sërish këto gjëra që i rrëzova, unë do të isha bërë vetë shkelës i ligjit të Moisiut.

19. Prandaj, përmes ligjit të Moisiut jam i vdekur para këtij ligji, që të jetoj për Perëndinë.Unë jam kryqëzuar me Krishtin;

20. nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua. Këtë jetë që tani jetoj në trup njerëzor, e jetoj me besim në Birin e Perëndisë, i cili më deshi dhe dha veten për mua.

21. Unë nuk e mohoj hirin e Perëndisë, pasi, nëse njeriu u bëka i drejtë përmes ligjit të Moisiut, atëherë Krishti paska vdekur më kot.