kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36
  37. 37
  38. 38
  39. 39
  40. 40
  41. 41
  42. 42
  43. 43
  44. 44
  45. 45
  46. 46
  47. 47
  48. 48
  49. 49
  50. 50

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 22 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: "Abraham!" Ai u përgjigj: "Ja ku jam".

2. Dhe Perëndia tha: "Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e moriahëve dhe ofroje si holokaust në një nga malet që do të të tregoj".

3. Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për holokaustin; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte.

4. Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin.

5. Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: "Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush".

6. Kështu Abrahami mori drutë e holokaustit dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy.

7. Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: "Ati im!". Abrahami iu përgjigj: "Ja ku jam, biri im". Dhe Isaku tha: "Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për holokaustin?".

8. Abrahami u përgjigj: "Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për holokaustin". Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë.

9. Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve.

10. Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin.

11. Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: "Abraham, Abraham!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam".

12. Engjëlli i tha: "Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke".

13. Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si holokaust në vend të të birit.

14. Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: "Do të furnizohet mali i Zotit".

15. Engjëlli i Zotit e thirri për të dytën herë Abrahamin nga qielli dhe tha:

16. "Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke,

17. unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij.

18. Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim".

19. Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët e tij, ata u ngritën dhe shkuan bashkë në Beer-Sheba. Dhe Abrahami zuri vend në Beer-Sheba.

20. Mbas këtyre gjërave i thanë Abrahamit këtë: "Ja, Milkah i ka lindur edhe ajo bij Nahorit, vëllait tënd;

21. Uzi, dhëndri i tij i parë, Buzi vëllai i tij, Kemueli babai i Aramit,

22. Kesedi, Hazoi, Pildashi, Jidlafi dhe Bethueli".

23. Dhe Bethuelit i lindi Rebeka. Këta tetë bij Milkah i lindi nga Nahori, vëllai i Abrahamit.

24. Konkubina e tij, që quhej Reumah, lindi edhe ajo Tebahun, Gahamin, Tahashin dhe Maakahun.