kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36
  37. 37
  38. 38
  39. 39
  40. 40
  41. 41
  42. 42
  43. 43
  44. 44
  45. 45
  46. 46
  47. 47
  48. 48
  49. 49
  50. 50

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 29 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj Jakobi u nis dhe shkoi në vendin e lindorëve.

2. Shikoi dhe pa një pus në një arë, dhe aty pranë tri kope dhensh të mbledhura tok, sepse ai pus shërbente për t'u dhënë ujë kopeve të dhenve; dhe rrasa mbi grykën e pusit ishte e madhe.

3. Aty mblidheshin zakonisht tërë kopetë; atëherë çobanët e hiqnin rrasën nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë dhenve; pastaj e vinin përsëri rrasën në vendin e saj, në grykën e pusit.

4. Dhe Jakobi u tha atyre: "Vëllezër të mi, nga jeni?" Ata u përgjigjën: "Jemi nga Harani".

5. Atëherë ai u tha atyre: "E njihni ju Labanon, birin e Nahorit?". Ata u përgjigjën: "E njohim".

6. Ai u tha atyre: "A është mirë ai?". Ata u përgjigjën: "Është mirë; dhe ja bija e tij Rakela, e cila po vjen me delet".

7. Ai tha: "Ja, është ende ditë për diell dhe nuk ka ardhur koha për të mbledhur bagëtinë; jepuni ujë deleve dhe pastaj i çoni të kullosin"

8. Por ata u përgjigjën: "Nuk mundemi derisa të gjitha kopetë të mblidhen, e të kemi hequr rrasën nga gryka e pusit; atëherë do t'u japim ujë deleve".

9. Ai po vazhdonte të fliste me ta kur arriti Rakela me delet e të atit, sepse ajo ishte një bareshë.

10. Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanos, vëllai i nënës së tij, dhe delet e Labanos, vëlla i nënës së tij, ai u afrua, e hoqi rrasën nga gryka e pusit, dhe i dha ujë kopesë së Labanos, vëllait të nënës së tij.

11. Atëherë Jakobi puthi Rakelën, ngriti zërin dhe qau.

12. Pastaj Jakobi e njoftoi Rakelën se ishte i një gjaku me të atin dhe ishte bir i Rebekës. Dhe ajo vrapoi t'ia tregonte të atit.

13. Sapo Labano dëgjoi lajmet e Jakobit, birit të motrës së tij, vrapoi drejt tij, e përqafoi, e puthi dhe e çoi në shtëpinë e tij. Dhe Jakobi i tregoi Labanos tërë ato gjëra.

14. Atëherë Labano i tha: "Ti je me të vërtetë nga mishi dhe gjaku im!". Dhe ai qëndroi një muaj me të.

15. Pastaj Labano i tha Jakobit: "Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote".

16. Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.

17. Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme.

18. Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: "Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël".

19. Labano iu përgjigj: "Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua".

20. Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte.

21. Pastaj Jakobi i tha Labanos: "Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të".

22. Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket.

23. Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri tek ajo.

24. Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij.

25. Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: "Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?".

26. Labano u përgjigj: "Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.

27. Mbaro javën e kësaj dhe do të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera".

28. Atëherë Jakobi bëri si i thanë dhe mbaroi javën e Leas; pastaj Labano i dha për grua bijën e tij Rakela.

29. Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Bilhah si shërbyese Rakelës, bijës së tij.

30. Dhe Jakobi hyri gjithashtu te Rakela dhe e dashuroi atë më tepër se Lean; dhe shërbeu shtatë vjet të tjera te Labano.

31. Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë.

32. Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: "Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojë".

33. Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: "Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir". Dhe e quajti Simeon.

34. Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë, dhe tha: "Kësaj radhe burri im do të më dojë, sepse i kam lindur tre bij". Prandaj u quajt Levi.

35. Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi djalë dhe tha: "Këtë radhë do të kremtoj Zotin". Prandaj e quajti Juda. Pastaj nuk pati më fëmijë.