kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36
  37. 37
  38. 38
  39. 39
  40. 40
  41. 41
  42. 42
  43. 43
  44. 44
  45. 45
  46. 46
  47. 47
  48. 48
  49. 49
  50. 50

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 35 Bibla Shqip (ALBB)

1. Perëndia i tha Jakobit: "Çohu, ngjitu në Bethel dhe vendosu aty; dhe bëj aty një altar Perëndisë që t'u shfaq, kur ikje para vëllait tënd Esau".

2. Atëherë Jakobi i tha familjes së tij dhe gjithë atyre që ishin me të: "Hiqni nga rrethi juaj perënditë e huaja, pastrohuni dhe ndërroni rrobat tuaja;

3. pastaj të ngrihemi dhe të shkojmë në Bethel, dhe unë do t'i bëj një altar Perëndisë që plotësoi dëshirën time ditën e fatkeqësisë sime dhe që më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë".

4. Atëherë ata i dhanë Jakobit tërë perënditë e huaja që kishin dhe varëset që mbanin në veshë; dhe Jakobi i fshehu nën lisin që ndodhet pranë Sikemit.

5. Pastaj ata u nisën dhe tmerri i Perëndisë ra mbi të gjitha qytetet rreth tyre, kështu që nuk i ndoqën bijtë e Jakobit.

6. Kështu Jakobi arriti në Luc, domethënë në Bethel, që ndodhet në vendin e Kanaanit; erdhi aty me të gjithë njerëzit që ishin me të.

7. Dhe aty ndërtoi një altar dhe këtë vend e quajti El-Bethel, sepse aty i qe shfaqur Perëndia kur po ikte para vëllait të tij.

8. Atëherë vdiq Debora, taja e Rebekës, dhe e varrosën poshtë Bethelit, në këmbët e lisit që u quajt Alon-Bakuth.

9. Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit, kur ky po vinte nga Padam-Arami dhe e bekoi.

10. Dhe Perëndia i tha: "Emri yt është Jakob; ti nuk do të quhesh më Jakob, por emri yt do të jetë Izrael". Dhe i vuri emrin Izrael.

11. Pastaj Perëndia i tha: "Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm; ti bëhu i frytshëm dhe shumëzo; një komb, madje një tërësi kombesh do të rrjedhin prej teje, dhe disa mbretër kanë për të dalë nga ijët e tua;

12. dhe do të të jap ty dhe pasardhësve të tu pas teje vendin që i dhashë Abrahamit dhe Isakut".

13. Pastaj Perëndia u ngjit më lart nga ai, nga vendi ku i kishte folur.

14. Atëherë Jakobi ndërtoi një përmendore, një përmendore prej guri, në vendin ku Perëndia i kishte folur; mbi të hodhi pak verë dhe derdhi ca vaj sipër.

15. Dhe Jakobi e quajti Bethel vendin ku Perëndia i kishte folur.

16. Pastaj u nisën nga Betheli; kishte edhe një copë rrugë për të arritur në Efratë, kur Rakela lindi. Ajo pati një lindje të vështirë;

17. dhe gjatë lindjes së vështirë mamia i tha: "Mos ki frikë, sepse edhe këtë herë ke një djalë".

18. Dhe ndërsa shpirti po e linte (sepse vdiq), i vuri emrin Ben-Oni, por i ati e quajti Beniamin.

19. Kështu Rakela vdiq dhe u varros në rrugën e Efratës (domethënë të Betlemit).

20. Dhe Jakobi ngriti mbi varrin e saj një përmendore. Dhe kjo përmendore ekziston ende sot e kësaj dite mbi varrin e Rakelës.

21. Pastaj Izraeli u nis dhe ngriti çadrën përtej Migdal-Ederit.

22. Dhe ndodhi që, ndërsa Izraeli banonte në atë vend, Rubeni shkoi e ra në shtrat me Bilbah, konkubinën e atit të tij. Dhe Izraeli e mori vesh.

23. Bijtë e Jakobit ishin dymbëdhjetë. Bijtë e Leas ishin: Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isakari dhe Zabuloni.

24. Bijtë e Rakelës ishin: Jozefi dhe Beniamini.

25. Bijtë e Bilhahut, shërbëtorja e Rakelës, ishin: Dani dhe Neftali.

26. Bijtë e Zilpahës, shërbëtorja e Leas, ishin: Gadi dhe Asheri. Këta janë bijtë e Jakobit që i lindën në Padan-Aram.

27. Pastaj Jakobi erdhi tek Isaku, i ati, në Marme, në Kirjath-Arba (domethënë në Hebron), ku Abrahami dhe Isaku kishin qëndruar ca kohë.

28. Isaku jetoi njëqind e tetëdhjetë vjet.

29. Kështu Isaku dha shpirt, vdiq dhe u bashkua me popullin e tij, ishte i plakur dhe i ngopur me ditë; dhe Esau dhe Jakobi, bijtë e tij, e varrosën.